Fëmijët, nën kurthin e të rriturve

Fëmijët, nën kurthin e të rriturve

Foto ilustruese

Kur flitet për fëmijërinë, mendja shkon tek kujtimet më të ëmbla, ato më të dashura dhe të sinqerta. Askush nuk i harron  kacavjerrjet nëpër pemë, guralecët e vëgjël që mbidheshin kudo, që më pas shërbenin si gurë peshoreje kur luhej loja e shitësit dhe blerësit, shkopinjtë e vegjël që duheshin për lojra të sajuara për momentin, topi apo litari si mjeti më i zakonshëm i ndërmjetësimeve më shoqëri të reja të  lagjies.  Shumë nga këto lojra sot është vështirë tˋi gjesh, sepse fëmijët nga lodrat e pafundme që iu jepen, nuk arrijnë të krijojnë mënyra argëtimi vetjake duke futur fantazinë. Në këtë mënyrë fëmijët bien nën kurthin e të gatshmes, ku gjithçka ka një vlerë materiale.

Fëmijëria është mosha ku prindërit nuk i harrojnë as pyetjet e shumta të pafajshme të cilat mbijnë në kokën e  të vegjëlve, për mënyrën si kanë ardhur në jetë, kur do bëhen me një moter apo vëlla, si del dielli apo si e nxjerr gjuhën krokodili. Nga ana tjetër vijnë përgjigjet e sajuara apo gënjeshtrat që dalin për të mbuluar të vërtetat e të rriturve. Kjo është një tjetër kurth që ia ngrejnë prindërit, fëmijëve të tyre.

Fëmijët rriten dhe prindërit injektojnë dëshirat e tyre tek vogëlushët, duke dashur që ata të bëhen më të zotë dhe më të pavarur. Por çështja është si e formojnë këtë gjë?! Nëse fëmijët trajtohen si kopja e njërës palë, e babait apo nënës, duke projektuar ëndrrat e tyre, fusin nën kurthin e frustrimit fëmijët. Vogëlushët nuk janë pronë e prindërve dhe pavarësisht trashëgimisë së geneve, personaliteti është unik dhe duhet të krijohet me kujdes. Një fëmijë i shkathët ka nevojë për disiplinë dhe vëmendje. Ndërsa një fëmijë i brishtë dhe i ndjeshëm ka nevojë për tolerim dhe stimulim. Megjithatë ka një sërë tiparesh të tjera të cilat prindi duhet të jetë aty për të ndihmuar dhe përmirësuar, por jo për tˋi ndryshuar.

 Po ashtu ka shumë prindër që fëmijët duan tˋi  angazhojnë me kurse, trajnime apo veprimtari të shumta. Në këtë mënyrë ata i fusin fëmijët e tyre në kurthin e ankthit që vjen nga  koha e kufizuar, mbytjes nga përgjegjësitë e shumta. Sasia nuk është kurrë e këshillueshme sa cilësia. Ndaj është mirë që ndërgjegjia e fëmijës të formohet në natyrshmëri dhe hap pas hapi. Së pari fëmija duhet të mësojë mirë gjuhën mëmë, e më pas me kohën do i mësojë edhe gjuhët e tjera. Së dyti, fëmijët kanë nevojë më shumë për natyrën sesa për klasa të mbyllura ku vizatojnë lule fallco nëpër mure. Së treti, fëmijët duan praninë e prindërve dhe jo kohë të mbushura me kurse vetëm që nëna apo babai të ketë mundësi të bëjë disa orë pushimi.

Mos harrojmë që edhe parqet janë mënyrë e mirë argëtimi për fëmijët. Nga larg dëgjohen të qeshura dhe lëvizije të pashquara, ndërsa nga afër mund të ndodhin ngjarje nga më të ndryshme. Nisur nga ideja për tˋi mësuar fëmijëve vetëmbrojtjen, prindërit i lënë ata të lirë. “Lë tja dali vetë”, mund të jetë një nga shprehjet më të zakonshme. Sigurisht duhet tja dali, por jo të gjakosi fëmijën tjetër, ta shtyjë atë, tˋi gjuajë dhe të bërtasi se topi i tjetrit i duket më i bukur dhe duhet ta zotërojë patjetër. Kjo nuk është pavarësi, por futja e fëmijës në kurthin e mosndërshkimit. Nëse vogëlushët nuk dinë disiplinën, mos të pretendojmë që dhuna në shoqëri në të ardhmen, të ulet.

Vitet e fundit mediat në Shqipëri organizojnë spektakle për moshat e vogla ku angazhojnë fëmijët me veprimtari artistike. Megjithatë këto shfaqje televizive kërkojnë komercjalizëm dhe efekte për të tërhequr sa më shumë shikues. E në këtë linjë fëmijët bien nën kurthin e mediatizimit. Duke nisur që nga orari i vonë që nuk është i përshtatshëm për të vegjlit, në këto spektakle të rriturit i mësojnë fëmijët të sillen sipas skenarit, të krijojnë situata humori që të argëtohen të rriturit e tjerë, si dhe të bëjnë pyetje jo fëmijënore, por keqëdashëse, nga ato që krijojnë përgjigje për thashetheme portalesh për të nesërmen.  Ka dhe spektakle ku fëmijët këndojnë dhe performojnë, por nga ekrani shumë pak duken si fëmijë. Veshja, sjellja, tualeti në sytë e vogëlusheve, buzëkuqi në buzët e njoma, çojnë nën kurthin e rritjes para kohe.

Çdo moshë duhet jetuar me stadet e veta, ndaj prindi ka përgjegjësinë ta ruajë nga kurthet e materializmit, banalitetit, mediatizimit, keqformimit. Prindi ndër të tjera ka përgjegjësinë të mos e fusi edhe nën kurthin e tij me pretendimin se këto mënyra e bëjnë fëmijën më të mirin. Madje do të ishte mirë të ndiqnim parimin e mos të lindurit fëmijë për të riprodhuar veten, por të kenë qëllimin për të përmirësuar qenien njerëzore.Marsida Simo-Sociologe

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë