Sa duhet të përfshihen prindërit në edukimin e fëmijëve?

Sa duhet të përfshihen prindërit në edukimin e fëmijëve?

Foto ilustruese

Asgjë nuk ju përgatit për rrugëtimin e lodhshëm si një prind. Unë vetë kam lexuar mijëra studime mbi arsimin dhe kam këshilluar mësues në mbarë botën. Megjithatë, pas 2 dekadash si prind, nuk jam ende i sigurt se çfarë mund të jetë më e mira për fëmijët tanë.

Ashtu si shumica e prindërve, unë dhe bashkëshortja i kemi kaluar të gjitha: të dielat stresuese duke mbushur boshllëqet mësimore të fëmijëve tanë; mbrëmjet e kaluara duke i nxitur ata të kryejnë detyrat e shtëpisë; pagimin e tarifave mujore për regjistrimin e tyre në një ekip futbolli për të rinj, që gjatë disa sezoneve nuk arriti të fitonte as edhe një ndeshje të vetme.

Prindërit duket se po shpenzojnë më shumë kohë dhe para për aktivitete arsimore, duke i çuar pafund fëmijët e tyre në kurse muzike dhe sportive. Por edhe duke vizituar muzeume dhe galeri të ndryshme; duke bërë pushime sa më të larmishme për t’u dhënë atyre dije mbi kultura të ndryshme dhe për të përmirësuar CV-të e tyre personale.

E megjithatë, pavarësisht presioneve në rritje, ka pak këshilla për t’i udhëzuar prindërit se çfarë është e rëndësishme kur bëhet fjalë për arsimimin e fëmijëve të tyre. Dhe studimi im i fundit ma ka shtuar konfuzionin. Ai sugjeron se të ndihmosh fëmijët me detyrat e matematikës apo t’u lexosh libra jashtëshkollore nuk ka fare ndikim.

Për më tepër, zbulon se të vësh muzikë apo të luash sport me fëmijët nuk ndikon aspak në ecurinë e tyre në shkollë. Ashtu si me shumë studime të tilla, edhe ky i imi po i përgjigjet pyetjes së gabuar. Sepse rrethanat specifike të vetë prindit, kanë një ndikim të thellë në perspektivat e fëmijëve.

Fëmijët me prindër që nuk janë të diplomuar në universitet, kanë shumë më pak gjasa të rriten me 2 prindër dhe në një  shtëpi e cila është në pronësinë e familjes sesa fëmijët me prindër të diplomuar në universitet. Ndërkohë, fëmijët e familjeve më të pasura kanë 2 herë më shumë gjasa të përfitojnë nga mësimi privat sesa fëmijët nga familjet më të varfra.

Gjatë hulumtimit tim, unë kam zbuluar se zakonet e thjeshta në shtëpi mund të sjellim ndryshime që përcaktojnë jetën. Për shembull ulja dhe leximi i një libri bashkë me fëmijën tuaj çdo ditë, qoftë edhe vetëm për 20 minuta, mund të transformojë mënyrën e mësimit të tyre.

Rëndësi kanë edhe rutinat e rregullta (vakti kur hahet, kur bëhet banjë, koha e gjumit), ashtu si dhe përgatitja e fëmijëve për shkollën (duke siguruar që ata të hanë ushqim dhe të bëjnë një gjumë të mjaftueshëm).

Edhe artet dhe sportet kanë vlerë të madhe edukative në vetvete. Ato ndihmojnë në përmirësimin e besimit, vetëvlerësimit dhe mirëqenies, si dhe të aftësive sociale dhe drejtuese. Është thelbësore që prindërit t’i promovojnë ato, duke pasur parasysh se një program shkollor gjithnjë e më i dobët po lë pas dore muzikën, artin dhe sportin.

Sipas mendimit tim, fëmijët duhet t’i kushtojnë po aq kohë artit dhe sportit sa edhe studimit akademik bazë. Problemi qëndron tek zgjerimi i hendekut midis prindërve që janë në gjendje të mbështesin shkollimin e fëmijëve të tyre jashtë shkollës dhe atyre që nuk e kanë këtë mundësi.

Kjo ndarje ka ekzistuar prej kohësh, por pandemia e Covid-19 e ka përkeqësuar. Pas mbylljes së shkollave, sondazhet zbuluan se disa prindër ishin gjithnjë e më të angazhuar në mësimin e fëmijëve të tyre; ndërsa të tjerët jo. Në një botë gjithnjë e më të polarizuar jashtë shkollave, duket gjithnjë e më e rëndësishme puna e sociologes amerikane Anet Laro.

 

Ajo i cilëson si “kultivim të përbashkët” aktivitetet ku angazhohen prindërit e shtresës së mesme, duke i përfshirë fëmijët e tyre në aktivitete të strukturuara kulturore dhe diskutime gjatë kohës së darkës. Ndërkohë, prindërit e klasës punëtore praktikuan “prindërimin e rritjes natyrore”, një qasje e thjeshtë ndaj shkollimit.

Siç do t’ju thotë çdo mësues, këto janë përgjithësime: stilet e prindërve ndryshojnë midis prindërve të të gjitha shtresave shoqërore. Por ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj rrëshqitjes në një mentalitet defiçiti, duke i fajësuar prindërit që nuk kanë mbajtur ritmin në të gjitha këto përpjekje jashtëshkollore.

Kur prindërit bëjnë disa punë të pasigurta për të paguar faturat, ose kanë njohuri të kufizuara se si funksionon sistemi arsimor, ata mund të mos kenë kohë apo burime për të mbështetur fëmijët e tyre në mënyrat më të dobishme. Në fakt në epokën post-pandemike, janë dobësuar edhe të drejtat elementare për fëmijët: ushqimi i duhur, ngrohja, veshmbathja, mundësia për të udhëtuar në shkollë dhe hapësira për studim.

Ajo që është jetike për t’u kuptuar nëse duam të trajtojmë pabarazitë arsimore, është se fëmijët “e kultivuar” të Laro janë të prirur të kenë sukses në mjediset shkollore dhe inkurajohen të kërkojnë reagime nga mësuesi i tyre nëse nuk kuptojnë diçka. Fëmijët e tjerë humbasin shanset.

Në punën time me drejtuesit e shkollave, eksplorojmë mënyrat për të krijuar marrëdhënie jo hierarkike dhe reciproke me të gjithë prindërit. Të gjitha shkollat duhet të publikojnë planet e partneritetit të prindërve, të vëna në dispozicion të të gjithë komunitetit të shkollës, të cilat do të demonstrojnë se çfarë po bëjnë shkollat për të fuqizuar të gjithë prindërit për të ndihmuar në zhvillimin e shprehive në mjedisin mësimor në shtëpi.

Ky “premtim i prindërve” do të ishte një strategji e favorshme për mësuesit, pasi fëmijët do të kishin më shumë gjasa të ndiqnin shkollën dhe të përgatiteshin më mirë për të mësuar në klasë. Po ashtu mësuesit duhet të udhëzohen se si të punojnë me prindërit.

Derisa ta kapërcejmë këtë hendek, unë druhem se për shumë prindër një nga punët tona më të rëndësishme do të mbetet herë e suksesshme dhe herë jo. Arsimi është shumë më tepër se notat në shkollë.

Shënim: Lee Elliott Major është profesori i parë i lëvizshmërisë sociale në Universitetin Ekseter, Britani e Madhe. / “The Guardian” – Bota.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë