Mbrojtësi i Mançester Junajtedit, Rio Ferdinand, i cili u la jashtë kombëtares angleze për Euro 2012, ka kritikuar ashpër përzgjedhësin Roi Hoxhson për shkak që nuk i dha më shumë hapësirë lojtarëve të rinj.

Mbrojtësi i spikatur i “Djajve të Kuq” është dakord me numrin gjithnjë e më të madh të njohësve të futbollit në ishull, të cilët mendojnë se Anglia duhet t’i shmanget qasjes tradicionale të futbollit, e cila edhe kësaj radhe i kushtoi me dështimin në garat e mëdha ndërkombëtare.

“Do të dëshiroja që futbollistët e rinj të kishin më shumë hapësirë për lojë në Evropian. Mendoj se Aleks Çemberlein dhe Fil Xhons mund të sjellin gjallëri në lojën tonë. Çemberlein është një djalosh fantastik, shumë i shpejt dhe inteligjent, por në fund mbeti si vëzhgues në Euro 2012 dhe jo si një pjesëmarrës”, ka theksuar Ferdinand.

“Edhe Fil Xhouns do të duhej të luante më shumë se Xhordan Henderson. Nuk kam asgjë kundër Xhordanit, por Xhouns ka cilësi të transformimit. Ai është futbollisti më i shkathtë, i cili mund të përshtatet në çdo situatë dhe në çdo pozicion. Thjesht, ne sërish ishim konservatorë dhe kjo na kushtoi me eliminim në çerekfinale”. Anglia u eliminua nga Italia pas serisë së penalltive, pasi ndeshja pas 120 minutash lojë u mbyll pa gola. (rb/shqiptarja.com)