Ish-ministri i Jashtëm nga radhët e Partisë Demokratike Besnik Mustafaj ka uruar nëpërmjet rrjeteve sociale ministrin e ri të Jashtëm Ferit Hoxhën për detyrën e re. Hoxha tashmë do të marrë vendin e Elisa Spiropalit me vendim të kryeministrit Edi Rama të bërë me dije pasditen e djeshme.

“Si koleg i hershëm, por edhe si ministër që e përfshiva në rrethin e afërt të bashkëpunëtorëve të mi duke i dhënë shtysën e parë të madhe karrierës së tij, i uroj përzemërsisht suksese Ferit Hoxhës” ka shkruar Mustafaj.

Më tej Mustafaj thotë se shpreson se një nga aktet e para të tij si ministër do të jetë revokimi i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, një ligj që sipas tij godet rëndë integritetin e trupës diplomatike të Shqipërisë.

Postimi i plotë:

Si koleg i hershëm, por edhe si ministër që e përfshiva në rrethin e afërt të bashkëpunëtorëve të mi duke i dhënë shtysën e parë të madhe karrierës së tij, i uroj përzemërsisht suksese Ferit Hoxhës. Me këtë rast shpreh shpresën se një nga aktet e tij të para si ministër do të jetë revokimi i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, votuar së fundmi në Parlament, si një ligj që godet rëndë integritetin e trupës diplomatike të Republikës së Shqipërisë.

Ferit Hoxha vjen në krye të ministrisë së Jashtme me një karrierë të gjatë në shërbimin e jashtëm diplomatik për Shqipërinë. Ai ka mbuluar më parë marrëdhëniet e Shqipërisë me BE, ka shërbyer si Këshilltar në OKB dhe në vende të tjera. Nga marsi 2018 deri në tetor 2021, shërbeu si Ambasador dhe Dërguar i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO, në Paris. Më 30 shtator 2021, ai u emërua Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, si dhe Ambasador Jo-rezident i Shqipërisë në Kubë.