/ATSH/- Progresi i shënuar nga Shqipëria në procesin integrues pritet të shoqërohet nga një serë angazhimesh të reja edhe për sektorin bujqësor në vend.
Përveç rritjes së prodhimit, një nga mundësitë e reja që shfaqet është ajo e gjetjes së tregjeve të reja. Ndaj, projekti i ri për bujqësinë, sipas ministrit Edmond Panariti, shkon në këto dy drejtime.
Në tryezën për fermat familjare,  organizuar sot nga Dhoma Britanike e Tregtisë e Ministria e Bujqesise, kreu i Dhomës Zenel Hoxha vlerësoi se sektori bujqësor do të jetë prioritar për ekonominë, ndaj edhe një nga sfidat e momentit është rritja e cilësisë së produkteve shqiptare, për të cilat do të paraqiten një serë tregjesh të reja.Hoxha vlerësoi në fjalën e tij mbështetjen që bankat  kane dhënë për sektorin bujqësor përmes programeve të financimit që i janë dedikuar posaçërisht fermerëve.
Ndërsa drejtuesja e sektorit të agrobiznesit në Credins Bank, Marjeta Karapanço vlerësoi se përveç mbështetjes nga grante në ndryshme, fermerët kanë mundësi të bashkëpunojnë me sistemin bankar në vend për të përfituar mbështetje financiare për zhvillimin e aktivitetit të tyre. Karapanco theksoi se Credins Bank ka ofruar mbështetje financiare me procedura të thjeshtuara për fermerët, çka ka dhënë rezultate pozitive.
Bujqësia vlerësohet si një ndër sektorët që po operon nën potencialin e tij në Shqipëri. Ndaj edhe qeveria shqiptare ka miratuar një paketë të re masash në mbështetje të sektorit.