Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, ka folur për shqetësimet në rritje për tonelatat e vajit të ullirit të mbetur stok në zona të ndryshme të vendit, përfshirë Mallakastrën, Fierin dhe Beratin.  

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, Zusi tha se agronomët duhet të jenë vazhdimisht në terren, për t’u ofruar fermerëve protokolle të qarta mbi mënyrën e trajtimit të ullirit.

“Strukturat e sistemit të bujqësisë duhet të jenë në terren, për t’i orientuar fermerët dhe për t’i strukturuar se çfarë duhet të bëjnë për të marrë shumë vlerë nga produkti i tyre. Ka një qendër të ullirit në Vlorë. Agronomët duhet të jenë në terren gjithë kohës, fshat më fshat, duke u dhënë protokollet fermerëve. A e dini ju që fermeri shqiptar nuk ka protokolle se si të trajtojë ullirin? Si mundet konsumatori vendas dhe i huaj të blejë një produkt të prodhuar nga një fermer që nuk di se çfarë po bën?”, tha Zusi, duke argumentuar se shansi i vetëm që prodhuesi shqiptar të konkurojë me vendet prodhuese të ullirit në rajon, është nëpërmjet një produkti specifik organik.

Duke kritikuar mungesën e protokolleve të mirëcaktuara për prodhimin e vajit të ullirit, Zusi tha se ka 300 persona që paguhen të këshillojnë fermerët në vend.

“Sa herë kanë vajtur tek fermerët? A kanë bërë mbledhje me fermerët? Ata duhet të jenë në terren çdo ditë për tu dhënë udhëzime fermerëve për procesin e plehërimit dhe çertifikimit të produktit. Nëse fermerët shqiptarë ofrojnë një produkt organik, e gjithë Europa do të vijë ta marrë”, tha Zusi.

Duke marrë si shembull modelin e ndjekur në zonën e Belshit, ku vaji i ullirit po shitet me 1200 L/litri dhe po eksportohet në Amerikë, Zusi  përsëriti thirrjen për ndjekjen e protokolleve të caktuara në prodhimin e vajit organik, dhe mbështetje më të madhe nga ana e institucioneve për prodhuesit e këtij produkti.

“Në këtë sektor, Ministria e Bujqësisë ka vite që është inekzistente. S’kanë asnjë mbështetje. Fermeri duhet orientuar. Ne duhet t’i jemi mirënjohës fermerit, por ai nuk është agronom. Kur isha ministër, unë kam sugjeruar krijimin e shërbimit profesional publiko-privat të agronomëve, por kjo nismë nuk u bë’, tha ai.