PRISHTINË, 5 Dhjetor/ATSH/.- Ambasadori i Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese, theksoi sot se "korrupsioni nuk duhet të jetë justifikim për t'i penguar investimet në Kosovë".
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Odës Ekonomike të Kosovës dhe Agjencisë Italiane për Tregti të Jashtme, promovim dhe internacionalizimin e ndërmarrësisë Italiane (ITA), Ferrarese tha se "problemi i punësimit në Kosovë është problem ekonomik, mirëpo dhe politik. Prandaj, ne insistojmë shumë jo veten në Itali por dhe tek miqtë tjerë Evropian dhe i ftojmë të vijnë këtu sepse mund të kontribuojnë jo vetëm në stabilitetin por dhe në rritjen ekonomike. Ky është vendi i pestë që unë punoj jashtë Italisë por shumë rrallë më ka rastis ta shoh një rini kaq të jashtëzakonshme dhe të gatshme për të punuar". "Kur flasim për pengesa, përmendet shumë shpesh korrupsioni. E dimë që korrupsioni ekziston këtu, ekziston në Itali. Mirëpo në Itali ka investime jashtëzakonisht të mëdha. Kështu që ky nuk është justifikim për t'i penguar investimet dhe punën. Tregtia jonë është rreth 300 milionë. Unë jam i sigurtë që shumë lehtë dhe shumë shpejtë mund të dyfishohet në një kohë të shkurtër. Sfida tjetër është ajo e arritjes së balancit. Nuk është normale dhe as e drejtë që ne eksportojmë 220 milionë, ndërsa ju në Itali 80 milionë", u shpreh Ferrarese.
Ndërsa Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se "Kosova duhet të bëjë më tepër në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes me qëllim që të ketë sa më shumë kompani italiane në Kosovë, pasiqë këto investime në vendin tonë janë minore".
"Vet fakti që në Serbi janë 500 kompani italiane, besoj që duhet të na detyrojë që të bëjmë më tepër për të përmirësuar ambientin dhe kompani italiane të kemi më tepër në Kosovë. Nëqoftëse i analizoni investimet e huaja në Kosovë, në veçanti të Italisë janë vërtetëminore, sepse kanë filluar nga zeroja. Mirëpo, besoj se është koha kur duhet t'i bëjmë më tepër pyetje ndaj vetvetes se çka duhet të bëjmë që ata t'i kemi në Kosovë. Pas raportit të fundit nga organizatat e ndryshme që merren me matjen e indikatorëve të ndryshëm, vetë fakti që kemi këtë shkallë të korrupsionit dhe këtë mangësi të sundimit të rendit dhe ligjit, dua të besoj që do të jetë objektiv i çdo qeverie që do të vijë në të ardhmen", tha ai.
Ai po ashtu falënderoi ambasadorin italian për eliminimin e disa procedurave burokratike të komunitetit të biznesit sa u përket vizave në mënyrë që biznesmenët kosovarë të mos jenë gjithmonë të penalizuar.
Gabriella Lombardi, drejtoreshë e ITA-s tha se "është shumë e rëndësishëm që të jenë të mirëpritur në Kosovë, jo vetëm si përfaqësues të Italisë por dhe si pjesë aktive, pasiqë është e rëndësishme që interesat e të dy palëve të kënaqen. Ndërsa, theksoi se qëllim i tyre mbetet që interesat e ndërmarrjeve kosovare dhe italiane të bëhen bashkë".
Nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit në mes Odes Ekonomike të Kosovës dhe Agjensionit Italian për Tregti të Jashtme, promovim dhe internacionalizim të ndërmarrësisë Italiane (ITA), u cilësua si një mundësi e mirë drejtë hapjes dhe intensifikimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Italisë./KosovaPress/k.s/