Ferrari, piktura që provokon
kufijtë e mendimit

Ferrari, piktura që provokon<br />kufijtë e mendimit
TIRANE- Shenjat enden rreth e rrotull për një kohë të gjatë pa gjuhë, pa e njohur kuptimin e tyre, por edhe kur e mëson, kuptimi kurrë nuk zbardhet plotësisht, duke krijuar një “kufi”. Është kjo dukuri që e tërheq artistin e njohur italian Agostino Ferrari dhe e bën konceptin e tij aq shumë origjinal. Ai përpiqet të depërtojë përtej kufirit që vihet në mes të shenjës së shkruar deri diku si një kod i njohur dhe elementëve estetikë dhe formalë që ajo shfaq.

Me këtë intrigë tërheqëse piktori i njohur italian Agostino Ferrari ka përuruar ekspozitën e tij me 20 vepra të titulluar "Brenda-jashtë", e cila u çel mbrëmë në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Ekspozita është bërë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Ekspozita e Agostino Ferrarit me 20 vepra konsiderohet si pjesë e një ekspozite më të madhe të artit bashkëkohor që emërtohet “KUFIJTË, gjuhët, hapësira, gjërat, njerëzit, mendimet”. Kjo ekspozitë është kuruar nga Martina Corgnati dhe përurohet me rastin e asistencës italiane për kryesimin në BE. Dhe në këtë rast; Kufijtë, gjuha, hapësira, objektet, njerëzit konceptohen përmes një rotacioni të përfaqësuar nga katër shkolla me pjesëmarrjen e katër artistëve italianë: Maria Cristina Carlini, Agostino Ferrari, Donatella Spaziani dhe Agnese Purgatorio. Këtë herë Instituti Italian i Kulturës në Tiranë preferoi të sjellë në Tiranë Agostino Ferrarin.

Ferrari është artist i lindur në Milano në vitin  në 1938. Ai ka punuar me vite të tëra për çështjen e shenjave dhe kuptimit të tyre. Me këtë mënyrë parashtrimi të konceptit figurativ artisti milanez ofron një element kyç në historinë e abstraksionit dhe të kulturës bashkëkohore artistike. Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, artisti Ferrari ka bërë kërkimet në kuptimin e këtyre marrëdhënieve mes shenjës dhe asaj që kumton kjo shenjë. Duke bërë kërkime, piktori ka zgjeruar edhe "kufirin" artistik, duke skicuar e zbuluar veçorinë e shenjës, e cila karakterizohet për dinamizmin e saj.

Kështu artisti vazhdimisht skicon dhe lidh hapësira të errëta, të panjohura, duke provokuar një përvojë të re për shikuesit. Të njëzet veprat e ciklit “Brenda-jashtë” i përkasin periudhës së fundit të këtij cikli. Piktura e Ferrarit janë punuar në akrilik, materiale të përziera etj., të cilat përfshijnë projekte të tjera të vogla, ku shenjat shërbejnë si pikënisje në ekzekutimin e të gjitha veprave të tij. Në tablotë e tij spikat një e zezë e thellë që vjen si një metaforë e dyfishtë, me shumë të panjohura, duke zbuluar mundësitë e pafundme që presin njeriun përtej njohurive aktuale.

Shenja hyn në hapësirën njerëzore duke treguar horizonte të reja dhe duke u bërë protagoniste e vërtetë për ngjizjen e fazës së parë të formave të saj. Agostino Ferrari filloi veprimtarinë profesionale artistike në vitin 1961 me ekspozitën e tij të parë vetjake në Pater Galleria në Milano. Ai ka themeluar me artistët e tjerë një grup me të cilin ka nisur kërkimin e shenjave të vjetra në qytetërimet e lashta. Që nga ky moment, çështja e shenjave të vjetra që kumtojnë skica,  ide dhe gjuhë për Agostino Ferrarin do të kthehen në temën kryesore të të gjithë punës së tij deri më sot. Në vitet'64 -'65 ai qëndroi në Nju Jork, ku u takua me disa artistë amerikanë, duke përfshirë George Segal dhe Claes Oldenburg.

Në 1966-n, paraqiti ekspozitën e tij personale në Milano. Në vitin 1967-n ai mori çmimin për projektimin Miro në Barcelonë. Më vonë, me artistë të tjerë ka ekspozuar në Kunsthaus Zyrih, në Milano e një vit më vonë në Dallas, në Galerinë e Artit Bashkëkohor. Në vitet e ardhshme ai çel ekspozita personale dhe ne grup në shumë qytete të Italisë dhe Evropës. Veprat e tij gjenden në shumë koleksione private dhe publike. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri