Ferzie Lipo, deputetja e Enverit
punon banakiere në Pogradec

Ferzie Lipo, deputetja e Enverit<br />punon banakiere në Pogradec
POGRADEC- Në një nga hotelet kryesore në mes të qytetit në bar kafe punon një ish deputete e parlamentit shqiptar të kohës së Enverit. Shumë të moshuar dhe qytetarë të tjerë shkojnë dhe e pinë kafen pikërisht tek lokali ku punon ish deputetja Ferzie Lipo. (ne foto)
-Deputete, - i thonë klientët me respekt, -një kafe … e di vetë ti. një me pak.

Ferzie Lipo e buzëqeshur ju plotëson dëshirën… Është një grua që sapo ka kaluar 56 vitet e jetës. Ajo nuk ka droje nga puna që bën. Madje thotë se është tepër e lumtur që jeton me djersën e ballit dhe nuk e ka problem fare që ka qenë deputete në Kuvendin Popullor të atëhershëm. Ulemi të pimë një kafe më Ferzien. Ajo thotë plot modesti se e ka filluar punën në kooperativë qysh në moshën 16-vjeçare sapo ka mbaruar klasën e tetë... Kishte një trup të gjatë dhe të zhvilluar. Bënte nga dy norma në kooperativën e Leshnicë, fshati ku ajo ka jetuar dikur, dhe që aty në moshën 18-vjeçare Partia e Punës e bëri komuniste... Karriera e saj do të pësonte rritje dhe vetëm pas një viti ajo bëhet brigadiere në brigadën që ajo punonte dhe me rendimentet e larta që po arrinte me brigadën e saj ajo propozohet dhe më pas zgjidhet si deputete e Kuvendit Popullor në zonën e Çërravës dhe të Osnatit...
Ne zhvilluam me Ferzien një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqiptarja.com”;
 
Ferzie, ju vjen zor kur ju shohin juve që keni qenë 8 vjet deputete dhe tani bëni kafe në lokal?
-Jo përkundrazi jam krenare që jetoj me djersën time të ballit. Para pak ditësh një deputet i asaj kohe që ishin pranë në parlament kur më pa hapi sytë dhe më pyeti: Po ti, moj Ferzie, ç`ne këtu që bën kafe!” Këtu paske katandisur deshi të thotë.
 
Po ti çfarë i the?
-Hë( qesh ). “Po ti akoma atje je në parlament që nga koha jonë!”
Ai u skuq dhe nuk foli madje dhe kur pinte kafenë që i bëra unë shikonte nga banaku ku punoja unë vjedhurazi dhe qëndronte me disa partiakë të këtyre partive të reja.  
 
Cilat qenë privilegjet tuaja në atë kohë?
-Asnjë privilegj. Kishim kartonin e deputetit në xhep që udhëtonim me tren nga Pogradeci në Tiranë pa lekë dhe në hotel “Drini” për ditët që qëndronim në Tiranë. Pastaj gjithçka e kishe nga xhepi
 
A keni diskutuar në parlament ndonjëherë ?
-Po sigurisht që kam diskutuar dhe kam ngritur problemet e zonës. Kur mbarova së foluri Mehmet Shehu më thotë: “Moj Ferzie, gjithë kjo gocë gati dy metra, si nuk je bërë basketbolliste për kombëtaren!”. Salla qeshi.
 
Po tjetër keni ndonjë diçka të veçantë?
-Duke ndjekur një seancë të Kuvendit më erdhi gjendje të fikëti dhe u zverdha.. Atë seancë ishte Enver Hoxha, befas ai mi nguli sytë dhe pas pak vijnë dy shoqëruesit e tij dhe më thonë na dha porosi shoku Enver t’ju çojmë e t’ju vizitojmë ju jeni shumë e zverdhur... Me mua erdhi edhe ministria e Bujqësisë së asaj kohe, Themie Thomai. “Pse shqetësoheni edhe ju?”, -e pyeta unë, por ajo më tha se e kishte dërguar shoku Enver... Pasi qëndrova dy orë në spital dhe kaloi gjendja u ktheva në parlament... Më thanë të shkoja tek kafja e parlamentit se më kërkonte vetë Enveri... Më takoj dhe më pyeti se a isha mirë tani. Pimë një kafe së bashku … Është hera e parë në jetën time që e kam ndjerë vetën time të vlerësuar.
 
Si ju duken kolegët e sotëm në parlament?
-Më vjen turp që edhe unë kam qenë deputete në atë sallë me sharje e fyerje. Bëjnë shumë zhurmë për asgjë, si thonë këtej nga ana jonë: rrahin ujë në hava.
 
Çfarë ndryshimesh sheh nga koha juaj ?
-Asnjë ndryshim, si atëherë dhe tani i njëjti avaz. Neve na vinin në rresht dhe ngrinim të gjithë kartonët dhe sot partia më e madhe i detyron të ngrenë kartonët dhe të votojnë sipas të parit të tyre dhe kjo është e tmerrshme të ndodhi në demokraci që parim bazë është liria e fjalës. Ndryshimi tjetër desha të theksoi janë se këta të sotmit janë të pasur dhe të thyejnë kokën me para, vila në disa vende, vetura, pushime jashtë shtetit nëpër plazhet më të shtrenjta. Ata ndërhyjnë për emërime nëpër dogana dhe polici, te tatimet dhe marrin zarfe të ënjtur me euro. Janë të veshur firmato …dhe nga ana tjetër flasin tërë ato banalitete kur fillon parlamenti. Duhet t’i largosh fëmijët nga ekrani se dëgjon sharje nga më të ndyrat …
 
A e dini se do të bëhet një ndërtesë e re e parlamentit?
-Është e turpshme të hidhet leku i popullit dëm për një parlament të ri. Madje edhe ai restaurim i sallës ishte i tepërt, nuk meriton sallë të re ky takëm deputetësh që ne kemi… edhe atë e kanë shumë. Më fal se desh më doli nga mendja. Pashë një ministër që e kishte thirrur komisioni përkatës parlamentar …Thërriste më shumë ministri dhe iu hakërrohej deputetëve dhe më shumë thërriste ai sesa deputetët. Ku është. parë e dëgjuar kjo. Kur ne kemi thirrur një herë në komision ministren e Bujqësisë së asaj kohe Themie Thomai, i bënim pyetje dhe asaj i shkonin djersët çurkë..
 
Tashmë pushteti është ndryshuar, cili është mendimi juaj për administratën?
 
-Kuptohet që në administratë duhet që të ndërrohet. Unë po ju marr dy shembuj të thjeshtë nga qyteti i Pogradecit. Është vënë nga partia që humbi zgjedhjet, drejtoreshë e shërbimit shëndetësor një shitëse butiku, apo drejtor shkolle në një shkollë në Mokër një shofer taksie. Këto shembuj i solla që spastrimi duhet bërë patjetër, po jo të ndërrohet një shitëse butiku me një shitëse tjetër butiku apo një drejtor shkolle të hiqet një taksist e të vendoset një traktorist …Desha të theksoj se shtëpia e re nuk mund të ndërtohet me trarë të vjetër duhen trarë të rinj thotë populli madje trarë të shëndoshë.

Janë tërë mundësitë që të vendosen në çdo fushë njerëz të aftë. Mësuesi më i mirë me Universitet me tituj shkencorë apo botime dhe gjuhë të huaja të jetë në krye të arsimit apo mjeku më i mirë në krye të shëndetësisë, apo ekonomisti më i mirë në krye të një institucioni. Edhe pse mund të mos ketë veshur bluzën e një partie të merren nga shoqëria civile...  Të gjithë e dimë se të aftët dhe më të zotët nuk servilosen dhe të futen në për parti për karrige, por koha dhe nevojat e vendit nëse duhet të rilindim duhet të vendosen në pikat kyçe njerëzit më të aftë të cilët do të marrin në administratën e tyre një ekip të aftësh dhe kështu punët do të ecim shumë më mirë, pasi të aftët nga të paaftët ndryshojnë nga njëri tjetri si të vdekurit nga të gjallët ….
 
 Shkrimi u publikua sot (09.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

7 viktima nga moti i keq me stuhi e shi në Francë e Zvicër, përmbytje e rrëshqitje dheu në zonat alpine në Itali

7 viktima nga moti i keq me stuhi e shi në Francë e Zvicër, përmbytje e rrëshqitje dheu në zonat alpine në Itali