Foto: Ferit Hoxha
Mesazhi i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka uruar të gjitha gratë e vajzat me rastin e 8-të Marsit, Dita Ndërkombëtare e grave.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha shprehet se 8 Marsi rikthehet çdo vit si një kujtesë e fuqishme e forcës që mban të bashkuara familjet, komunitetet dhe shoqëritë: qëndrueshmëria, vendosmëria dhe vizioni i grave dhe vajzave.
“Në Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë, kjo forcë është e dukshme çdo ditë. Sot, gratë përbëjnë shumicën në Trupën tonë Diplomatike; shumë prej tyre mbajnë pozicione kyçe drejtuese - përfshirë të tre zëvendësministrat, një numër ambasadoresh dhe anëtare të ekipt të lartë drejtues - duke kontribuar në formësimin e angazhimit të Shqipërisë në botë. Përmes profesionalizmit, përkushtimit dhe lidershipit të tyre, ato japin një kontribut vendimtar në avancimin e prioriteteve tona, dialogut dhe bashkëpunimit.
Shqipëria është veçanërisht krenare që e vendosi agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” në qendër të punës së saj gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Nxitja e pjesëmarrjes kuptimplotë të grave në proceset e paqes dhe sigurisë, mbrojtja e të drejtave të tyre dhe garantimi që zëri i tyre të dëgjohet në vendimmarrje mbeten angazhime thelbësore të politikës sonë të jashtme.
Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjitha gratë që i shërbejnë vendit tonë me integritet dhe përkushtim, shpesh edhe në mjedise të vështira dhe sfiduese, si dhe u përcjell urimet më të përzemërta të gjitha grave dhe vajzave në Shqipëri dhe në mbarë botën’, shkruan ai.
Lajmi kryesor:
8 Marsi - Dita Ndërkombëtare e Gruas/ Uron politika! Rama: Sot kemi më shumë gra që udhëheqin! Begaj: Ju mbani gjallë shpirtin e familjes dhe të kombit












