Festa e Birrës, "pushtohet" Korça
Peleshi:Këtë vit më shumë surpriza

Festa e Birrës, "pushtohet" Korça<br />Peleshi:Këtë vit më shumë surpriza
KORCE- Startoi dje për të disatin vit rradhazi festa e Birrës në qytetin e Korçës. Qytetarë jo vetëm korçarë, por nga e gjithë Shqipëria zbarkuan në qytetin e Korçës për të ndjekur nga afër festimet tradicionale, që në një qytet të vetëm, bashkojnë disa lloje prodhimesh birrash, që në fakt nuk janë vetëm prodhim i vendit, por edhe i huaj. 

“Eshtë kthyer në një traditë kjo festë. Nga viti në vit jemi përpjekur që t’i japim gjallëri këtij qyteti, me surpriza, festime e koncerte që zgjasin deri në orët e para të mëngjesit. Eshtë një mundësi të kemi kontakt me njëri tjetrin, por edhe me mysafirët që na vijnë jashtë qytetit. Bashkia e qytetit në mënyrë të përvitshme merr masat që të ketë një organizim sa më të mirë, duke ndjekur edhe eksperiencat evropiane të festimeve të këtij lloji. Këtë vit, organizimi është pothuajse në kulmin e tij. Aktiviteti që filloi ditën e sotme, do të vazhdojë deri të djelën dhe Korça, edhe pse nuk ka detin afër, u jep mundësi të gjithëve të kalojnë disa ditë ndryshe turistike.

Jam shumë i lumtur që nga zyra jonë e turizmit kam mësuar se të gjitha hotelet në qytet janë të prenotuara. Madje shumë familje korçare kanë hapur dyert për të pritur të ftuarit e shumtë. Për herë të parë në festimet e këtij lloji, edhe me mbështetjen e ambasadës amerikane, vjen në Shqipëri kitaristi i grupit Guns N Roses, Bumblefoot. Kalendari i aktiviteteve për pesë ditë me radhë është punuar nga stafi i bashkisë së Korçës por edhe me mbështetjen e sponsorve të këtij aktiviteti. Ndërkohë që këngëtarë vendas e të huaj, me serenatat e traditës korçare apo muzikës moderne, do t’i japin një gjallëri ndryshe festimeve të këtij viti” tha për "Shqiptarja.com", kryetari i Bashkisë së Korçës Niko Peleshi. 

Nga pasditja e djeshme, kur festimet për Festën e Birrës nuk kishin nisur akoma, Korça zjente nga turistët e shumtë që kishin ardhur të merrnin pjesë në aktivitet. Policia kishte marrë masat që qarkullimi i makinave të mos pengonte lëvizjen e lirë të qytetarëve. 

“Ka një plan të detajuar masash. Deri tani nuk ka pasur asnjë incident, kjo edhe falë kulturës së qytetarëve korçarë por edhe imponimit që vetë Korça si qytet iu jep gjithë vizitorëve që duan ta shohin”, thotë një nga policët e qarkullimit rrugor. 

Ndërsa Elidoni ka ardhur me familjen nga Tirana. Ka prenotuar në një nga shtëpitë karakteristike korçare dhe bëhet gati për të ndjekur korcertin që do të nisë edhe festën e birrës. Kundron stendat që janë ngritur në qytet për këtë festë dhe siç thotë për shqiptarja.com, ndjehet i lumtur që disa ditë të pushimeve të tij, i kalon në qytetin e Korçës. 

“Eshtë viti i tretë radhazi që vij në Korçë për tre ditë për të ndjekur festimet e festës së Birrës. Këtë vit, do të ndjekim edhe kitaristin kryesor të grupit Guns N Roses, që do të thotë se kemi prenotuar për pesë ditë për të qëndruar në qytet. Paradite na pëlqen të shëtisim edhe nëpër fshatrat turistike të zonës, ndërsa pasdite ndjekim gjithë aktivitetet. Eshtë një traditë e bukur, na bën të kthehemi vit pas viti në këtë qytet. Por edhe çmimet nuk janë keq. Mesa pashë, nuk kanë ndruyshuar nga viti i kaluar. Që do të thotë se edhe pronarët e hoteleve nuk kanë abuzuar. Të shohim sesi do të kalojë festa këtë vit” thotë ai duke mbetur në kërkim të një gote kaucuku birrë, pavarësisht se festa nuk ka filluar. 

Sipas llogarive që bëhen në zyrat e bashkisë së Korçës, janë miliona lekë që shpenzohen në këtë qytet gjatë pesë viteve, falë konsumit të birrës, ushqimeve, suvenireve tradicionale, por edhe hotelerisë. Bashkia Korçë ka marrë masat për të ndihmuar biznesin privat për të prodhuar bluza, filxhanë e çakmakë me mbishkrimin “I Love Korça”, “Festa e Birrës 2013” etj. Materialet promovuese tërhiqen shumë jo vetëm nga turistët e huaj, por edhe qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. 

“Shpresojmë se këtë vit, aktiviteti do të jetë më gjallërues edhe për ekonominë korçare” të thonë zyrtarët e Bashkisë. 

Duket se qyteti po jeton me festën. Pedonalja kryesore, bulevardi Republika, Bulevardi Shën Gjergji etj, gumëzhinin nga mijëra e mijëra banorë e turistë duke filluar që nga dita e djeshme.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Pasojat e një Gushti të vështirë, për disa shenja, mund të duken në Shtator

Pasojat e një Gushti të vështirë, për disa shenja, mund të duken në Shtator