Në 74-vjetorin e ditës së Çlirimit të Shqipërisë, komunistët dhe ithtarët e diktatorit janë shfaqur me pankarta dhe thirrje pro Enver Hoxhës në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Të mbledhur bashkë, ata kanë bërë homazhe me fotot e Enverit në duar dhe me simbolet e komunizmit. Gjatë fjalës së tij kreu i Partisë Komuniste, Qemal Çiçollari ka reaguar ashpër kundër vendimit të qeverisë për rivarrosjen e eshtrave të Mid’hat Frashërit. Ai e ka cilësuar qeverinë e Ramës si neoballiste, pasi sipas tij Mid’hat Frashëri është tradhtar i vendit, ndërsa socialistët e rehabilituan.

“Populli shqiptar nën udhëheqjen e Enver Hoxhës përballoi me heroizëm 15 divizione fashiste dhe naziste duke u shkaktuar 70 mijë të vrarë dhe dëme të pallogaritshme. Në këtë luftë dhëmbë për dhëmbë me fashistët dhe ballistët dhanë jetën dëshmorët e atdheut.

Populli shqiptar bëri luftë heroike për çlirimin e vendit me në krye gjeniun Enver Hoxha. Kjo luftë fitimtare e shpëtoi Shqipërinë. Në 14 nëntor 2018 populli shqiptar pa edhe dëgjoi ceremoninë për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit. Ky akt është shprehja e qartë e rehabilitimit të kolaboracionistit. Qeveria rilindase socialiste e Ramës është neoballiste dhe neokolaboracioniste. Poshtë qeveria neoballiste e Edi Ramës. Balli Kombëtar përfaqësonte interesat e borgjezisë. Balli Kombëtar zgjodhi bashkëpunimin me nazistët.

Dokumentet e nazi-fashitëve vërtetojnë kolaboracionizmin e Ballistëve dhe Zogistëve. Populli i ka paguar shtrenjtë krimet e mëdha të Ballit Kombëtar. Balli Kombëtar vrau 48 mijë dëshmorët e atdheut. Dëgjoi dhe shkrumboi Shqipërinë. Fajtori kryesor për këto krime është kryetari i Ballit Kombëtar Mid’hat Frashëri. Ishte dhe mbeti deri në fund tradhtari i vendit. I bëjmë thirrje popullit të ngrihet kundër qeverisë së Ramës dhe të distancohen nga socialistët” deklaroi kryetari i partisë Komuniste. Në datë 14 nëntor mbërritën në Shqipëri nga SHBA eshtrat e shkrimtarit dhe politikanit, Mid'hat Frashëri duke ngjallur debat për rolin e tij si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar (lexo këtu).