Festa para ndeshjes ishte shfaqja më serioze në Milan-Genoa. “Djalli”, që po kalon një periudhë të vështirë në Seria A, nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në ditën përkujtimore të 125-vjetorit të krijimit të klubit. Para sfidës shumë legjenda të Milanit parakaluan në San Siro, duke entuziazmuar tifozët, të cilët më pas u zhgënjyen shumë me lojën dhe nuk kursyen vërshëllimat.
Madje as ndaj drejtuesve e Zlatan Ibrahimovic. Protestat përveçse në stadium vijuan edhe jashtë tij, me pankarta shumë goditëse si ‘ne nuk jemi amerikanë’ dhe ‘iu mbështetëm më shumë se ç’duhet’. Ndër të tjera, në pankartat e ultrasve të Milanit lexohej: “Drejtues të paaftë, shoqëri pa ambicie. Nuk jeni në lartësinë e historisë tonë.”
Milan aktualisht renditet në vendin e 8 me 23 pikë në Seria A, ndërsa ka nisur të rrezikojë edhe kualifikimin në Champions për sezonin e ardhshëm. Prej javësh ndërkohë flitet edhe për largimin e trajnerit Fonseca.