Në oborret e çdo shtëpie të fshatit Pojan të Maliqit gjen trëndafila shumëngjyrësh.

Kjo lule simbol për Pojanin është kthyer dhe në lajtmotiv për të tërhequr vizitorë, ndaj organizohet për të tretin vit radhazi “Festa e trëndafilave”.

Këngët e vallet tradicionale gjallëruan çdo rrugicë të fshatit.

Festës nuk i mungoi panairi i kulinare ku amvisat prezantuan gatimet tradicionale, sjellë në formën me të bukur me buqeta lulesh.

“Dëshirën për të kultivuar trëndafilat e kam patur qëkur isha fëmijë. Trëndafilat më pëlqejnë shumë. I mbolla me pasion, i vadis, i prashis për të rritur p e për të bërë buqeta. I dhuroj kur kam ditëlindje dhe fejesa.”- u shpreh një prej banoreve.

Simbolikë e veçantë është dhurimi nga bashkia i 100 trëndafilave për çdo familje pojane për të shtuar kultivimin e kësaj luleje.

“Çdo vit japim nga 100 trëndafila për çdo familje për ta shtuar trëndafilin, për të shtuar të gjithë lulet që kanë familjet, që fëmijët të rriten me oksigjen të pastër”- tha kryeplaku i fshatit Xhafer Gjyshllari.

“Komuniteti, pleqësia, Njësia Administrative dhe shkolla e fshatit e kanë bërë traditë që çdo vit organizojnë “Festën e Trëndafilave”. Tashmë është një risi nga një vit në tjetrin duke u pasuruar me aktivitete të reja. Shpresojmë dhe këtë vit të kemi arritur pritshmëritë tonë”- tha kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu.

Pojani i Maliqit është një fshat që i ruan traditat, përpos festës së Trëndafilave banorët kremtojnë çdo vit, në Janar edhe karnavalet ose ndryshe “Ditën e Rrogecëve”.