Festa, flamujt me shqiponjë të
deformuar, Lafe: Gafë e rëndë

Festa, flamujt me shqiponjë të <br />deformuar, Lafe: Gafë e rëndë
TIRANE- Flamujt me shqiponjë të deformuar po valëviten në institucionet shtetërore në pragun e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Megjithëse në suplementin "Fundjava" të "Shqiptarja.com", dhjetë ditë më parë, është botuar artikulli "Suvenirët e pavarësisë me simbole të shtrembëruara" dhe gazeta sërish pas një vëzhgimi botoi shkrimin "Në institucionet tona valëviten flamuj me shqiponjë të deformuar", asnjë nga përfaqësuesit e institucioneve të shtetit nuk ka reaguar për mungesën e vëmendjes. Rezulton se nuk u ka rënë në sy shqiponja e ndryshuar në flamur. Institucionet më të larta nuk kanë treguar as kujdesin minimal për të parë nëse është vendosur apo jo simboli i gabuar në flamurin kombëtar. Flamurit nuk "i kanë hedhur sytë" as Kryeministri, as Kryetarja e Kuvendit dhe as ministrat. Në zyrat e tyre ka hyrë simboli i deformuar tashmë. Simboli i flamurit të Pavarësisë është lënë në harresë edhe nga Akademia e Shkencave, nga Drejtoria e Trashëgimisë në MTKRS, nga kryetari i Bashkisë. Kryetari i Akademisë, z. Gudar Beqiraj, thotë se "nuk e ka vënë re". Sekretari i Përgjithshëm i Presidentit Bardh Spahija tha se "nuk e di këtë fakt". Drejtori i Trashëgimisë Olsi Lafe e mori vesh nga telefonata jonë dje pasdite. Çfarë ka ndryshuar në simbolin e shqiponjës? Flamuri origjinal prej 100 vjetësh ka ruajtur modelin e shqiponjës dykrenare, e cila në dy kokët e saj qëndron me gojë hapur dhe ka një gjuhë që zgjatet jashtë. Flamujt e rinj të hedhur në treg në vend të gjuhës tek kokat e shqiponjës kanë pësuar "mutacion". Gjuha zhduket fare dhe del në pah një buzë e poshtme e tejzgjatur. Njëri prej këtij lloji valëvitet përballë Heroit Kombëtar, Skënderbeut, në qendër të kryeqytetit. Të tjerë flamuj me shqiponjën e ndryshuar valëviten përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Ky flamur i transformuar ngrihet kundër ligjit me numër 8926, i cili ka hyrë në fuqi në datën 22. 07. 2002 dhe përcakton detyrimet sesi duhet të jetë pamja e Flamurit Kombëtar. Edhe pse pak ditë na ndajnë nga jubileu i 100-vjetorit të Pavarësisë flamujt që valëviten pranë disa godinave të ministrive përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" kanë të njëjtin "deformim" të shqiponjës dykrenore të Flamurit Kombëtar shqiptar.


SHKELET LIGJI PER FLAMURIN KOMBETAR
Ligji është përgatitur nga Artan Lame në vitin 2000, ish-drejtor i trashëgimisë kulturore në Ministrinë e kulturës. Ky Ligj me numër 8926 ka hyrë në fuqi në datën 22. 07, 2002. Ligji përcakton në Nenin 3, pika 1, detyrimet sesi duhet të jetë pamja e Flamurit Kombëtar. Në këtë Nen përcaktohen, jo vetëm forma e shqiponjës me të gjitha detajet, por nuanca dhe fortësia e ngjyrës së kuqe, dhe cili do të jetë raporti i shqiponjës me fushën e flamurit në sipërfaqen e flamurit. Në nenin 3 thuhet se flamuri duhet “të jetë saktësisht në ngjyrën e kuqe të mbyllur”. Raportet e dimensioneve dhe ngjyrave caktohen gjithashtu në shtojcën nr. 1 të këtij neni që i bashkëngjitet ligjit dhe është pjesë e tij. Ligji 8946 përcakton formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e Himnit Kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Për sa i përket Flamurit Kombëtar në Nenin 3, pika 1 shkruhet: “Flamuri Kombëtar paraqet një fushë me një ngjyrë të kuqe gjaku, me shqiponjën dykrenore në mes, me krahë hapur anash. Secili nga krahët e shqiponjës ka nëntë pendë, ndërsa bishti ka shtatë pendë”. Pika 2 e Nenit 3 përcakton edhe raportin e sipërfaqes që zë shqiponja me fushën e kuqe të flamurit. Aty shkruhet: “Përmasat e Flamurit Kombëtar përcaktohen në raportin 1 me 1.4 njësi”. Sigurisht që për këtë raport nuk është menduar kurrë, sepse fusha të përmasave të ndryshme të flamujve, po t’i matim kurrë nuk e ka të saktë rritjen proporcionale të fushës me simbolin e shqiponjës.

OLSI LAFE: KJO ËSHTË SHUMË E RËNDË. DO T'UA KALOJ PROBLEMIN ZYRTARËVE
Drejtori i trashëgimisë kulturore në ministrinë e Turizmit dhe Kulturës u befasua nga lajmi që i dhamë dje për ndryshimin e shqiponjës në Flamurin Kombëtar. Ja si reagoi ai për Shqiptarja.com:
Mund të më thoni pse dhe kur ka ndryshuar simboli i shqiponjës në flamur?

-Si ka ndryshuar...?!

Eshtë deformuar...

-Nuk e di. S'e kam parë. Bëre shumë mirë që më the që ta shikojë dhe unë dhe t'ua kalojë zyrtarëve. Të betohem që s'e kam parë. Më kupto, unë jam qenie njerëzore nuk mund të vë re çdo gjë. Ku shiten këta flamuj

Në fakt, nuk janë vetëm në shitje, janë edhe në institucione...

-Unë s'e kam vënë re. Me të vërtetë unë s'e kam vënë re.

Deformimi është shumë i dukshëm, në fakt?

-Po s'e kam parë. Të lutem, ç'mund t'ju them unë për këtë gjë. Duhet ta shoh çfarë çfarë deformimi është bërë.

Dimë që propozimi për simbolet bëhet zakonisht nga drejtori i trashëgimisë?

-Po unë s'jam vendimmarrësi. Megjithatë kjo gjë është shumë e rëndë. Faleminderit që më informuat. Sinqerisht shumë faleminderit.

(Sapo mbaroi biseda. Rimerr ne telefon zoti Olsi Lafe)


Alo, Edhe njëherë, Olsi jam.

Urdhëro!
-Më trego pak, ato deformimet janë në bandera apo në flamuj.

Janë në flamuj. Shqiponja është deformuar shumë keq.
-Po si është?

Po ta shpjegoj më shkurt, koka e shqiponjës ka pësuar mutacion. Për më saktë shiko në web-in e gazetës.
-Do ta shoh, sinqerisht nuk e dija. Faleminderit, faleminderit, do ta shoh…

BARDH SPAHIJA: PYESNI NDONJERIN QE MERRET ME SIMBOLET
Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, z. Bardh Spahija, i pyetur dje nga “Shqiptarja.com” sesi ka ndodhur deformimi i simbolit të shqiponjës në Flamurin Kombëtar dhe pse një flamur i tillë me simbolin e deformuar “është prezent, jo vetëm në Presidencë,por edhe në institucionet e shtetit”, u përgjigj shkurt duke pohuar se: “Unë nuk jam i informuar për ndryshimet që janë bërë në flamur. Nuk i kam parë konkretisht. Nuk e di, nuk jam kompetent që të flas për këto gjëra. Jeni drejtuar gabim. Për këto nuk mund t’ju përgjigjet njeri në Presidencë. Ju mund t’i referoheni ndonjërit që merret me simbolet. Është një autor që ka shkruar një libër, Jaho Brahaj. Mund të pyesësh atë”


GUDAR BEQIRAJ: S'E KAM VENE RE. PYESNI NERITAN CEKEN
“Nuk di gjë për shqiponjën e flamurit sesi ka ndryshuar, sepse unë jam marrë me probleme të Akademisë së Shkencave dhe organizmin e 40-vjetorit”, tha dje Kryetari i ASHSH-së, Gudar Beqiraj. “Unë nuk i kam vënë re as flamujt që shiten. Të them të drejtën, nuk e kam e kam marrë vesh dhe as e kam vënë re ndryshimin, sepse kemi pasur shumë aktivitet me akademinë dhe kishim sot edhe përvjetorin. I pyetur se cili mund të përgjigjej më saktë për këtë çështje, Beqiraj tha: këshilltari i kryeministrit i di më mirë ato punë. Pyesni zotin Neritan Ceka. Besoj ju ndihmova për diçka”. Kjo ishte përgjigjja që dha kryetari i Akademisë së Shkencave dje pas festimit të 40-vjetorit të kësaj akademie.


KASTRIOT FRASHERI: LIGJI TE DENOJE CENIMIN E SIMBOLEVE

Drejtori i Institutit për Çështjet Kombëtare, Kastriot Frashëri tha se “Problemi i deformimit të simboleve është një problem që ka ndodhur edhe herë të tjera. Kjo tregon më së miri nivelin e ulët të përfaqësimit të shtetit tonë. Simbolet kombëtare janë të pacenueshme dhe mbrohen me ligj. Ligji të dënojë cenimin e simboleve. Shteti ka një detyrim të rreptë ligjor për tu kujdesur për simbolet kombëtare. Rasti në fjalë është pika kulmore e neglizhencës kategorike që po tregon shteti në këtë në 100-vjetor, duke prodhuar simbole të deformuara me shpenzimet e taksapaguesve shqiptarë. Shtetarët kanë mbyllur sytë para një flamuri të deformuar, të cilin e kanë futur edhe brenda institucioneve”.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e 54-vjeçarit në 2022-in, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)

Fier, neglizhuan mjekimin e 54-vjeçarit në 2022-in, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)