Një projekt shumëvjeçar kërkimor në qytetin antik të Bylisit synon të zbulojë më në detaje mënyrën e jetesës së banorëve të tij në antikitet.
“Është një popull që ka pasur stadiumin në atë kohë, që ka pasur një nivel jete të jashtëzakonshëm dhe Bylisi është një koncentrat i këtij qytetërimi, qytet ku ka pasur një sistem demokratik. Mund të imagjinoni që ishte një lloj republike e vogël që përmblidhte Mallakastrën e sotme, me katër qytete, që kishin marrëdhënie me Dodonën, marrëdhënie me Spartën e asaj kohe.”, thotë për “Report TV” arkeologu Neritan Ceka.
Fokusi kryesor i gërmimeve janë banesat e tipit peristil, të konsideruara ndër më luksozet për kohën.
Ato ishin të ndërtuara përqark një oborri të brendshëm të hapur, të rrethuar me kolona, nga ku hapeshin dhomat e shtëpisë. Ky organizim siguronte dritë, ajër dhe freski, ndërsa oborri shpesh zbukurohej me lule apo burime uji, duke reflektuar një standard të lartë jetese.
“Ky është një projekt shumëvjeçar i Akademisë së Shkencave, që synon të sqarojë mënyrën e jetesës së bylinëve. Ata që përdornin teatrin, stadiumin dhe stoat, duam të dimë se ku dhe si jetonin. Po punojmë në një bllok banesash ku përfshihet edhe një banesë e madhe peristile, rreth 900 metra katrorë, me oborr qendror dhe ambiente të organizuara për pritje dhe shërbime. Kjo tregon një nivel jashtëzakonisht të lartë jetese në Bylis.”, shpjegon Ceka.
Ceka bën me dije se paralelisht me kërkimet arkeologjike, po punohet edhe për projektin e ndërtimit të muzeut të ri në Bylis, që pritet të nisë në pranverën e vitit 2026. Bylisi ndodhet vetëm pak minuta larg autostradës kryesore që lidh jugun e vendit me bregdetin, çka e bën atë një pikë kyçe për zhvillimin e turizmit kulturor.
Komente







