Ndërsa Shqipëria përgatitet të festojë ndërrimin e viteve dhe t’i japë lamtumirën vitit 2025, Policia e Shtetit vazhdon edhe sot ‘betejën’ kundër fishekzjarrëve dhe kapsollave që kthehen problem në këtë periudhë.

Vetëm në orët e fundit të vitit, policia ka zbuluar dhjetëra raste të tregtimit dhe posedimit të paligjshëm të mijëra lëndëve piroteknike në disa qytete të vendit.

Bilanci paraprak zyrtar i kontrolleve flet për mbi 700 fishekzjarre dhe gati 3,000 kapsolla të sekuestruara, 3 persona të arrestuar dhe 15 të tjerë nën hetim, nga Dibra në Vlorë, nga TiranaMaliq.

Dibër, fishekzjarret shiteshin hapur në tre dyqane.

“Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi hetimi për shitësit me inicialet O.D., A.K. dhe D.M., pasi në dyqanet e tyre u gjetën kuti me fishekzjarre, të cilat mbaheshin me qëllim shitjen e tyre” thuhet në njoftimin e policisë.

Në Vlorë, në një dyqan u gjetën 691 fishekzjarre, ndërsa në Maliq, policia gjeti gati 3 mijë kapsolla në një market lagjeje.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në një subjekt tregtar në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, u konstatuan 691 copë lëndë piroteknike (fishekzjarre), të cilat tregtoheshin në kundërshtim me ligjin dhe nisi procedimi penal ndaj shtetases L. V., 64 vjeçe, banuese në Vlorë” thuhet në njoftimin e policisë.

Por Tirana ishte pika më e nxehtë deri më tani. Në kuadër të operacionit “Fireworks”, policia e disa komisariateve në kryeqytet, bashkë me forcat Shqiponja, zbuloi raste ku fishekzjarret transportoheshin në makina, shiteshin në markete familjare apo dorëzoheshin në rrugë, pak orë para festës.

Sipas njoftimit të policisë:

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, arrestuan shtetasin I.Xh., 28 vjeç, ndërsa për K.H., 25 vjeç, nisi procedimi penal në gjendje të lirë, pasi gjatë kontrollit në automjet u gjetën lëndë piroteknike të mbajtura me qëllim shitjen, si dhe një sasi e vogël kanabisi.”

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin B.L., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit të tij u gjetën sasi të konsiderueshme fishekzjarresh.”

Në një automjet të ndaluar për kontroll, policia gjeti fishekzjarre gati për shitje dhe një sasi të vogël kanabisi. Në një tjetër, bagazhi i makinës ishte kthyer në depo piroteknike. Të përfshirë ishin kryesisht të rinj, disa prej tyre nën 25 vjeç.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit M.B., 18 vjeç dhe L.P., 20 vjeç, pasi nga kontrolli në automjet u gjetën lëndë piroteknike.”

Në disa raste, blerësit u kapën në flagrancë, ndërsa në një tjetër, babë e bir shisnin fishekzjarre nga marketi i tyre në zonën e “Myslym Ketës”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin F.J., 55 vjeç, ndërsa për shtetasit B.J., L.T. dhe E.V. nisi procedimi penal, pasi u konstatua se F.J. dhe djali i tij shisnin fishekzjarre në marketin e tyre në rrugën ‘Myslym Keta’, ndërsa dy shtetas të tjerë u kapën duke blerë lëndë piroteknike.”

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit A.P., 25 vjeç, A.H., 30 vjeç dhe R.Ll., 25 vjeç, pasi iu gjetën sasi fishekzjarresh.”

Një operacion i ngjashëm u zhvillua edhe në Elbasan.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. C., 33 vjeç, pasi është konstatuar në rrugën "Thoma Kalefi", duke shitur lëndë piroteknike në kundërshtim me ligjin. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 23 fishekzjarrë dhe 4 kuti me kapsolla"

Pavarësisht ndalimit me ligj dhe rrezikut që paraqesin, fishekzjarret vijojnë të qarkullojnë masivisht çdo fundvit, duke u kthyer në burim aksidentesh, paniku dhe zjarresh, sidomos për fëmijët.

Policia ka paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë edhe gjatë natës së ndërrimit të viteve dhe çdo shkelje do të ndëshkohet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:36
Shisnin fishekzjarre në dyqanet e tyre, vihen nën hetim 3 tregtarët në Dibër, sekuestrohen kutitë më lëndët piroteknike

Në vijim të zbatimit të planit të masave, të hartuar në prag të festave të fundvitit, me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të posedimit të lëndëve piroteknike me qëllim shitjen e kundërligjshme të tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, evidentuan 3 dyqane që ushtronin këtë veprimtari të paligjshme.

Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi hetimi për shitësit me inicialet O.D., A.K. dhe D.M., pasi në dyqanet e tyre u gjetën kuti me fishekzjarre, të cilat mbaheshin me qëllim shitjen e tyre.

Blutë e Dibrës njoftojnë se kanë sekuestruar fishekzjarret e gjetura dhe apelon për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe të mos tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, që përbën rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit.