Sipas këtij Instituti do të përfitojnë 576 186 mijë persona në të gjithë Shqipërinë. Ata do të mund të tërheqin shpërblimin prej 2 mijë lekësh në sportelet e postës duke nisur nga dita e sotme e deri më 31 dhjetor.
JA GRAFIKA E SHPËRNDARJES
Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, ISSH-ja, në bashkëpunim me Postën Shqiptare ka hartuar nje grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij deri në fund të dhjetorit.
Sipas grafikut, pensionistët do të marrin nga ora 08:00 deri në orën 14:00 pensionin në datën e caktuar, si dhe shpërblimin përkatës, ndërkohë që pas orës 14:00 e deri në orën 20:00, do të jepet shpërblimi për ata pensionistë që u ka kaluar data e tërheqjes së pensionit. Kështu, sipas grafikut të ISSH-së, sot do ta marrin pensionin personat që kanë datën e tërheqjes së pensionit, ndërsa pas orës 14:00 do të marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin në datën 1, 2, 3 dhe 4 dhjetor.
Në datën 22 dhjetor do ta marrin datat 5, 6 dhe 7 dhjetor
Në datën 23 dhjetor do ta marrin datat 8, 9, 10, 11dhe 12 dhjetor
Në datën 24 dhjetor do ta marrin datat 13, 14, 15, 16 dhe 17 dhjetor
Në datën 25 dhjetor do ta marrin datat 18, 19 dhe 20 dhjetor
Nga data 26.12.2012 dhe deri më datë 31.12.2012 ora 12.00 do paguhen njëkohësisht pensionet dhe shpërblimet e atyre datave si dhe rastet e të gjithë atyre personave që nuk kanë mundur të paguhen në datën e përcaktuar.
ISSH sqaron se me këtë grafik do të punohet deri në përfundimin e shpërndarjes së shumës prej 2 mijë lekësh deri në fund të muajit dhjetor, që shpërblimi të merret nga pensionistet para festave të fundvitit.
KUSH PËRFITON
Nga ky vendim do të përfitojnë gjithsej 576 186 persona, prej te cilëve, 558 921 pensionistë qyteti dhe fshati, 3710 persona që përfitojnë trajtim të veçantë si punonjës nëntoke, 716 persona që përfitojnë trajtim të veçantë financiar si punonjës të ndërmarrjeve ushtarake, 243 veterane të luftës, të cilët marrin vetëm shpërblimin e veteranit të luftës si dhe 10 784 persona që trajtohen me pagesë për vjetërsi shërbimi si ish ushtarakë dhe 1 855 ish punonjës policie, si dhe përfituesit e kategorive të tjera që përcakton vendimi. Në total efektet financiare të këtij vendimi llogariten në 1 165 milionë lekë.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore sqaron se edhe nëse nuk do të arrijnë të tërheqin shpërblimin brenda këtyre datave, do të mund ta marrin atë edhe pas vitit të ri, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e shkuara.
(sg/shqiptarja.com)