TIRANË, 16 Shkurt / ATSH - Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës kanë hyrë në një fazë të re dhe në të 12 qarqet e vendit, pas ekspeditave dhe hulumtimeve në terren, janë përcaktuar datat e organizimit të koncerteve folklorike zonale në nivel komune, bashkie dhe rrethi sipas zonave etnografike.
Përveç Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare të qarqeve, të cilat kanë informuar hap pas hapi për ecurinë e proçesit selektiv, Ministria e Kulturës ka bere te ditur se ka përcaktuar edhe datat e organizimit të koncerteve zonale.
MK bën me dije se grupet e specialistëve të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike kanë organizuar takime me grupet e punës në të gjitha qarqet, kanë bërë vlerësime për ecurinë e fazës së parë të përgatitjeve dhe kanë dhënë orientime për përmbylljen e fazës së dytë që lidhet me përzgjedhjen e grupeve dhe pjesëve folklorike më të mira.
Faza e parë përgatitore ka gjetur vlerësimin maksimal nga administrata e qarqeve, qendrat kulturore të komunave dhe bashkive, grupet folklorike dhe shoqatat kulturore.
/k.m//a.ke/








