Festivali i Filmit
pa “Gladiatorin e Artë”

Festivali i Filmit<br />pa “Gladiatorin e Artë”
TIRANE- Edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës startoi mbrëmë në qytetin bregdetar, por mësojmë se pas pesë edicioneve festivali nuk do të ndajë “Gladiatorin e Artë” për filmin më të mirë. Këtë vit festivali sjell vetëm një retrospektivë të filmave shqiptarë dhe të huaj ndër vite. Ceremonia e hapjes së festivalit u prezantua nga aktori i mirënjohur Timo Flloko, por e veçanta e natës së parë të festivalit që u zhvillua në teatrin “Aleksandër Moisiu” ishte dhe dhënia e dy çmimeve inkurajuese.

Çmimi i Karrierës shkoi mbrëmë për regjisorin Pirro Milkani për kontributin e çmuar regjisorial në filmin shqiptar. Ky çmim gjithashtu shkoi dhe për aktorin veteran të teatrit të Durrësit, Lutfi Hoxha, për figurat artistike të realizuara me dashuri dhe origjinalitet në filmin shqiptar. Pas ceremonisë së dhënies pwr publikun u dha filmi “Trishtimi i Zonjës Shnajder”, që mban firmën e regjisorëve Pirro e Eno Milkani.

Drejtoresha artistike Anila Varfi theksoi se “Ky edicion nuk do të ketë çmime për filmat në konkurrim dhe në përgjithësi do të mbështetet te prodhimet retrospektive si, "Trishtimi i zonjës Shnajder" nga Pirro dhe Eno Milkani, "Diktatori i madh" nga Carli Caplin, "Shoku ynë Tili" nga regjisori Fehmi Hoshafi, "Zonja nga qyteti" dhe "Shtigje lufte" po nga regjisori Pirro Milkani”. Sot nw mbwrmje do tw shfaqet premiera ballkanike të filmit “L’Intrepido” të Gianni Amelio-s. Filmi i fundit i Amelio-s, prezantuar në Festivalin e Filmit të Venecias shtatorin e kaluar dhe fitues i Çmimit Lanterna Magica dhe i Çmimit të Fondacionit Mimmo Rotella, ka si protagonist aktorin e njohur Antonio Albanese në rolin e Antonio Pane.   
 
 
Varfi: Festivali ndryshoi se munguan financimet
 
Profili ndryshe i këtij festivali sjell dhe mungesën e të ftuarve, si aktorë apo regjisorë të njohur, që ka ardhur pasi kanë munguar financimet e mjaftueshme për këtë festival. “Ishin arsyet financiare që nuk bënë të mundur ftesën për të gjithë ata aktorë dhe regjisorë të njohur që do të ishin konkurrentë ose pjesëmarrës në juritë e shumta që ka festivali”, tha Varfi, drejtore artistike e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. Gjatë festivalit “International Film Summerfest Durrës”, që do të vazhdojë deri më 6 tetor do të projektohen edhe filmat e Kliton Nesturit "Aktori që i ngriti vetes monument", kushtuar Nikolin Xhojës; "Dita e fundit e Loro Shestanit" i regjisorit Sokol Keraj dhe "Nuk është lavazh" i Gentian Koçi.

Edicion i reduktuar i festivalit të filmit do të mbyllet më 6 tetor në kinema "Millenium" të kryeqytetit me filmin "Diana" nga Oliver Hirschbiegel. Një vit më parë, edicioni i pestë i këtij festivali, që u konsiderua si një edicion jubilar pati të ftuar regjisorin legjendar Milos Forman, i cili u nderua me “Gladiatorin e Artë”, ndërsa në edicionin e katërt ishte e ftuar aktorja dhe regjisorja e famshme italiane Klaudia Kardinale, e cila i ka paraprirë listës së ftuarve VIP, por një edicion më parë, në të tretin, ishte i ftuar regjisorit i famshëm francez Christophe Honoré, etj.

Shkrimi u publikua sot (04.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024