Romë/ 12/ Dhjetor/ ATSH Festivali i filmit në Romë po aplikon një strategji të re, duke u tërhequr kështu nga gara me festivalin prestigjioz të Venedikut në Itali.
Duke filluar nga edicioni i ardhshëm, festivali i Romës nuk do të ketë më program garues.
Ky vendim u mor në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës italiane, duke qenë se përkundër faktit që ministria shpenzon 20% të buxhetit në këtë festival, edicioni i sivjetëm nuk arriti të shesë mjaftueshëm bileta apo ti rikthejë këto para.
Fondacioni i Kinemasë në Romë tha se me këtë vendim, festivali do të përqendrohet vetëm në shfaqjen e filmave kualitativ, duke mos garuar më për çmime me festivalin e Venedikut.
Kështu, synimi i festivalit është t'i ngjajë një vendi ku të jetë i përfshirë publiku i thjeshtë, pa garë e çmime.








