TIRANE, 19 Shtator/ATSH/- Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri (IHRFFA) këtë vit shënon 10- vjetorin e tij.
Festivali do të fillojë në datën 21 shtator në Akademinë e Filmit "Marubi" për të përmbyllur edicionin e dhjetë në datën 26 shtator. Drejtori i këtij festivali, Kujtim Çashku kërkoi që publiku të heqë dorë nga politika për një javë e të fokusohet në një festival që mbron të drejtat e tyre. " Filmi si një fenomen që ta sjell atë si një projeksion të bën apel për të formatuar ndryshe shijen e jetës tënde", u shpreh Çashku.
Filmi "Vaslav Havel të jetosh në liri" hap festivalin mbrëmjen e datës 21 shtator dhe sipas organizatorëve në çdo shfaqje të filmit hyrja është e lirë për publikun. IHRFFA këtë vit, do të zgjerojë rrjetin e sallave të shfaqjeve të filmave duke përfshirë universitete apo edhe sallën e shfaqjes së Filmave në Arkivin Qendror Shtetëror.
Këtë vit, pjesë e programit do të jenë edhe 10 filma britanikë me metrazh të shkurtër, pjesë e koleksionit të Këshillit Britanik, për të cilët është krijuar një komponent dixhital duke qenë në mënyrë të vazhdueshme online në internet. Gjatë festivalit nuk do të mungojnë dhe forume mbi tema të ndryshme, që shqetësojnë sot shoqërinë tonë. Ndërkaq sa i takon filmave për mëse një jave, publiku do të marrë informacionin e nevojshëm për krimet që kanosin sot botën, ndaj të cilave nuk mund të qëndrohet indiferent.
Seleksionimi i filmave çdo vit bëhet në funksion të një programi tematik, duke i dhënë përparësi temave që përkojnë me shqetësimet aktuale të shoqërisë shqiptare. IHRFFA ka trajtuar në vite tema që lidhen me dhunën në familje, mjedisin, aftësi të tjera, të drejtat e fëmijëve, emigracioni dhe imigracioni, liria e shprehjes, etj, për të ardhur tek tematika e këtij edicioni që është drejtësia, krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Për festivalin konkurruan rreth 450 filma nga shtete të ndryshme të botës, nga të cilët u përzgjodhën 44 prej tyre.
Drejtori i festivalit Kujtim Çashku, në fjalën e tij theksoi se tematika e filmave të përzgjedhur lidhet me shqetësimet aktuale të shoqërisë shqiptare. "Filmat jo vetëm që vijnë nga gjeografi të ndryshme, por përkojnë me tematikën e këtij festivali, me krimin e organizuar dhe korrupsionin, sepse janë dhe tema aktuale. Do të ngjallin debate të ndryshme, janë filma që sjellin një perceptim global në lidhje me këtë tematikë", u shpreh mes të tjerave drejtori Çashku. /a.g/









