Festivali i Pogradecit, çmim
special filmit për lesbiket

Festivali i Pogradecit, çmim <br />special filmit për lesbiket
Tre idealistët Fatos Baxhaku, Eno Milkani dhe Gerta Qurku sfiduan vështirësitë, mbi të gjitha mungesën e fondeve. Nuk e lanë në mes të rrugës traditën e bukur të nisur një vit më parë të Festivalit të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec. Qyteti i vogël i njohur për mikpritjen dhe zemrën e madhe të tij i hapi gjatë javës që shkoi portat edhe për edicionin e dytë të festivalit. Tradita e këtij festivali që nisi një vit më parë u ngjiz fal preokupimit të tre organizatorëve. A do t’ia dilnin të krijonin një traditë të bukur në qytetin turistik të Pogradecit. A do ta mbartnin dot nga një edicion në tjetrin.

“Nuk është se po ndërtonim ndonjë gjë të madhe, as kishim ndër mend të bënin gjëra, që ndokush nuk i kishte parë”, kujton Eno Milkani, “thjesht na kishte shkruar ndërmend që të mblidhnim bashkë njerëz nga vende të ndryshëm të Ballkanit, të cilët më parë nuk kishin pasur mundësi të njiheshin, të shtrëngonin duart, të qeshnin, thjesht të rrinin bashkë”. Kështu thjesht filloi edhe edicioni i dytë përmes shijes dhe tolerancës pogradecare. Por ajo që u ka bërë përshtypje organizatorëve në këtë festival është toleranca dhe kultura e gjerë qytetare e pogradecarëve. Kjo u shpreh në gjykimin dhe vlerësimin e filmit fitues të çmimit special të festivalit që jepej për herë të parë nga LGBT. Kryetari i shoqatës LGBT Kristi Pinderi u shpreh se “Në Pogradec nuk pati asnjë protestë si në Lezhë apo në Tiranë…”. Që në fillimet e tij edicioni i parë i Balkan Film & Food Festival nisi si një ngjarje kulturore që u mbështet fuqishëm nga vetë qyteti organizator, nga Pogradeci. Pyetjes pse pikërisht në Pogradec dhe jo në një qytet tjetër, organizatorët i përgjigjen: “Pogradeci e meriton që të jetë një herë në vit kryeqendra e kulturës ballkanike. Atje përplasen të gjitha tendencat, historitë, ngjarje të vrazhda, por edhe histori mirësie pa fund, atje kanë kaluar karvanët e të parëve tanë, që nuk e vrisnin edhe aq shumë mendjen për politikat nacionaliste e të mbrapshta, që na drejtuan kaq e kaq kohë”. Edicioni i dytë i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë u mbyll me sukses në Pogradec duke sfiduar skeptikët që e mendonin si të vështirë këtë event, në një periudhë krize jo vetëm ekonomike, por edhe kulturore.

Festivali dhe Pogradeci, kombinimi më i mirë

Gjatë një ceremonie të zhvilluar para bashkëqytetarëve të Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, Presidenti i Nderit i këtij festivali, z. Bujar Kapexhiu vlerësoi pikërisht guximin për ta realizuar një eveniment të tillë. Ai u shprehu mirënjohjen organizatorëve për kurajën e shfaqur për të zhvilluar një edicion të dytë të festivalit të Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë në Pogradec. “Them kurajë, sepse kushtet janë të pakta por dashuria për filmin dhe traditat, si edhe pasioni i sinqertë i mundën të gjitha vështirësitë dhe paragjykimet”, tha z. Kapexhiu. Një mbështetje të fortë ka marrë ky festival nga pushteti vendor. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, në mandatin e tretë, z. Artan Shkëmbi ka këmbëngulur që edhe ky edicion i dytë të zhvillohej në qytetin e Pogradecit. Milkani, Qurku dhe ai që ata e quajtën “lideri shpirtëror”, Fatos Baxhaku, evidentuan me kujdes faktin që Pogradeci, ndonëse pa shumë bujë, ka qenë një qytezë ku janë kryqëzuar rrugë të ndryshme historike, të tregtisë apo të shkëmbimeve reciproke ballkanike. E ku janë takuar artistë të Ballkanit dhe veprat e tyre. “Shpresojmë ta vazhdojmë këtë urë bashkëpunimi të hershëm ballkanik në Pogradec, përmes këtij festivali”, u tha z. Artan Shkëmbi, “jo vetëm si një urë lidhëse mes artistëve, por edhe si një urë mes kulturave, qytetarëve dhe fateve të përbashkëta.

Çmimi i parë

Filmi kroat fiton Çmimin e Parë
Në edicionin e dytë të festivalit konkurruan filma të disa zhanreve me metrazh të shkurtër dhe me metrazh të gjatë, filma të animuar, artistikë, filma eksperimentalë apo dokumentarë nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Kosova, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Rumania, etj. Gjithashtu u transmetuan filma dhe nga Franca, Italia, Spanja, Belgjika, Polonia, etj, por këta nuk ishin pjesë e garës zyrtare. Çmimin e parë e fitoi Kroacia. Ndërsa Çmimin special e fiton filmi me historinë e dy vajzave lesbike i LGBT-së. Juria ndërkombëtare përbëhej nga Daniele Baldaçi, Anne Poulson, Charlie Cockey, Martin Marschke, Mimmo Sammartino, ndërsa juria vendase vetëm me artistë të njohur pogradecarë përbëhej nga regjisori Tomi Mato (drejtor i jurisë), skulptori Sofokli Koci, piktori Anastas Kostandini, gazetari dhe poeti Ilir Shyta, dhe poeti Dhimitër Pojanaku. Të binte në sy që artistët nga Shqipëria ishin kryesisht të rinj të cilët kanë eksperimentuar në zhanre të ndryshme.


Çmimi Special

Filmi i parë antikomformist për LGBT
Dokumentari i parë që flet për jetën e dy çifteve homoseksualësh në Shqipëri u shpall fitues i një çmimi special në edicionin e dytë të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Kinemanë e këtij qyteti. Ishte anëtarja e jurisë ndërkombëtare Anne Poulsen nga Danimarka ajo që i dhuroi kupën, një qyp prej qeramike, bashkautorit të këtij dokumentari Kristi Pinderi. Ai u shpreh se "duhet guxim për një qytet të vogël si Pogradeci për të pranuar filma që flasin për tema që ende shkaktojnë protesta në qytete të tjera, por kjo nxjerr në pah një tjetër vlerë të këtij qyteti të mrekullueshëm: atë të tolerancës". Dokumentari "Të fshehur mes jush" i realizuar me mbështetjen e fondacionit Soros është një dëshmi e një çiftit vajzash lesbike dhe një çifti djemsh të cilët tregojnë vështirësitë e të jetuarit një jetë të fshehur për shkak të diskriminimit, por dëshmitë e tyre janë mbi të gjitha për arsyen se si mund të përballohet një jetë e tillë e që është dashuria e thellë për njëri tjetrin.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga