Festivali i RTSH-së
braktiset nga themeluesit

Festivali i RTSH-së <br />braktiset nga themeluesit
Nisi dje nata e parë e edicionit të 51-të të Festivalit të këngës në RTSH për të vijuar në datat 21 dhe 22 dhjetor. Drejtori artistik i Festivalit, kompozitori dhe orkestruesi Shpëtim Saraçi tha "se ky edicion do të zhvillohet me një frymë të re, e cila do të spikasë edhe në realizimin e regjisë, mënyrës së prezantimit dhe gjinive muzikore". Në skenën e këtij festivali do të ngjiten 26 këngëtarë dhe grupe të përzgjedhura, ku pjesëmarrësit më të shumtët janë të rinjtë. Në këtë kategori përfshihen edhe disa emra të njohur të muzikës si Bojken Lako, Dr. Flori, Merland Kademi, Anjeza Shahini, Rosela Gjylbegun, Vesa Luma, Kejsi Tola, Flaka Krelanin etj, që janë "produkt" i talent show-t "Ethet e së premtes mbrëma".

Ndërsa Brezi më i "vjetër" përfaqësohet nga Selami Kolonja, që vjen si një kantautor dhe Kozma Dushi. Për sa u përket kompozitorëve edhe këtu mbizotërojnë kryesisht të rinjtë me disa përjashtime të vogla, si Vladimir Kotani e Edmond Zhulali. Emra të rinj në fushën e kompozimit janë përfshirë Endri Sina, Genti Lako, Vedat Ademi, Alban Male dhe Florent Boshnjaku që u bë shumë i suksesshëm një vit më parë me këngën "Suus", kënduar nga Rona Nishliu, fituese e edicionit të 50-të të festivalit në RTSH dhe e pozicionuar e pesta në renditjen përfundimtare të Eurosongut. Duket se ky edicion është tjetërsuar në të gjithë mënyrën e konceptimit, ndërsa vihen re mungesat e kompozitorëve si Pirro Çako, Adrian Hila, Ardit Gjebrea, etj. Gjithashtu ka rënë në sy mospjesëmarrja në këtë festival e kompozitorëve dhe regjisorëve të njohur siç është kompozitori Agim Krajka, i cili është dhe autor i festivalit të 11-të.

Ky kompozitor i njohur ka pohuar se nuk do të dijë më për këtë lloj festivali, pasi ai e quan të degraduar traditën e tij. Po ashtu edicionit të 51-të i mungojnë pothuajse të gjithë emrat e këngëtarëve të njohur, siç janë kompozitori Flamur Shehu, dhe shumë kompozitorë dhe poetë të tjerë nuk janë më pjesëmarrës të festivalit të RTSH-së. Festivalin e kanë braktisur tashmë Spartak Tili, Jetmir Barbullushi, Ardit Gjebrea, Pirro Çako. Në këtë edicion janë larguar edhe kompozitor të sukseseve të fundit si Alfred Kaçinari apo poeti Agim Doçi që ka bërë tekstin e këngës fituese në Eurosong të Anjeza Shahinit, nuk marrin pjesë në festival.

Ky vit përkon me 40-vjetorin e Festivalit të 11-të, i cili do të shënonte një kthesë në muzikën shqiptare gjë që do të thotë se nuk do t'i mungojë edhe atmosfera e një nostalgjie festive e përkujtimore. Festivali që solli tendenca e ritme, duke e afruar muzikën shqiptare me atë europiane dhe që njëkohësisht për shkak të dënimit të tij e ndërpreu këtë rrjedhë natyrale të zhvillimit të muzikës në Shqipëri. Ndaj nuk do të mungojë as retrospektiva, këngë, kujtime… organizatorët janë duke punuar në këto dy linja. Skema e organizimit do të jetë e thjeshtë. Festivali do të zhvillohet në tri net. Në dy netët e para do të këndohen nga 13 këngë, prej të cilave vetëm 8, pra 16 gjithsej, do të shkojnë në natën finale, kur do të shpallen edhe çmimet. Nuk do të ketë vetëm një çmim të parë, por edhe vlerësime për muzikën, tekstin, orkestracionin, etj. Juria do të jetë e përbërë nga 7 personalitete të muzikës shqiptarë e të huaj.

Këngëtarët e natës së parë
Selami Kolonja
Rosela Gjylbegu,
Kejsi Tola
Vesa Luma
Elis Nova
Kozma Dushi
Bon bon Band
DR.Flori&Fabi
Merland Kademi
Rezarta Smaja
Ardian Bujupi
Xheni&Enxhi Kumrija
Arjela Krasniqi

Këngëtarët e natës së dytë

Arjan Dredhasi
Adrian Lulgjuraj&Bledar Sejko
Hersi Matmuja
LNYX
Entela Zhula
Anjeza Shahini
Kelly
Bojken Lako
Marsela Çibukaj
Valon Shehu
Ani Çuedari.

FESTIVALI I RTSH SHPALL FITUESIT E NATES SE PARE
Nga 13 këngët konkuruese të natës së parë të festivalit të 51 të këngës në RTSH, vetëm 9 prej tyre do të vazhdojnë konkurimin dhe në natën finale.
Këngëtarët e përzgjedhur nga juria për në natën finale do të jenë Selami Kolonja, Rosela Gjylbegu, Kejsi Tola, Vesa Luma, Dr.Flori & Fabian Basha, Merland Kademi, Rezarta Smaja, Ardian Bujupi dhe Xhejn dhe Enxhi Kumrija.

Gjithashtu dhe në natën e dytë të festivalit që do të mbahet sot në Pallatin e Kongreseve do të konkurojnë 13 këngë prej të cilave do të zgjidhen vetëm 9 për në natën finale. Dhe në datën 22 dhjetor, kur do të mbahet nata finale do të jenë në konkurim për çmimet e mëdha 18 këngë.

Këtë vit një tjetër risi e festivalit ishte dhe shorteu mes spektatorëve në sallë, ku në të dy netët e konkurimit, spektatorët në Pallatin e Kongreseve do të hedhin kontrabiletat e tyre në një kuti, prej nga do të zgjidhen nga një fitues për të shkuar çift në Eurosong. Fituese nga publiku në natën e parë për të marrë pjesë në Eurovizion 2013 që zhvillohet në Malmo të Suedisë është Majlinda nga Korça.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 21 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK