Pas përfundimit të programit në Korçë, edicioni i katërt i Festivalit të Video Artit “Gjon Mili” vijon nga 18 deri më 20 qershor në fshatin Dhërmi.

Aktivitetet do të zhvillohen çdo ditë nga ora 11:00 deri në 22:00 në disa ambiente të fshatit, përfshirë sheshet e kishave “Fjetja e Shën Mërisë” dhe “Shën Dhimitri”, galerinë Zoe Hora, një shtëpi të braktisur të përshtatur për ekspozita, si edhe në disa banesa tradicionale.

Programi i ditës së parë, më 18 qershor, nis në orën 16:00 me projeksione të filmave të shkurtër, dokumentarëve dhe veprave të video artit nga autorë të vendeve të ndryshme. Në mbrëmje do të inaugurohet instalacioni “Anabiosis” i Ervin Bërxollit, do të mbahet një koktej mirëseardhjeje dhe më pas do të zhvillohet një program i posaçëm me filma të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Aktivitetet e ditës do të mbyllen me një koncert të Bledi Polena & Band.

Më 19 qershor programi vazhdon me një seri të re projeksionesh, instalacionin “Hijet që Bien mbi Shtëpitë e Tjera” të Ledia Kostandinit, si edhe një bisedë të hapur me artistin Zef Paci. Në mbrëmje do të shfaqet dokumentari “Dežo Hoffmann – Photographer of the Beatles”, ndërsa dita do të përfundojë me një aktivitet pas festivalit në sheshin “Shën Dhimitri”.

Në programin e Dhërmiut marrin pjesë artistë nga Shqipëria dhe vende të tjera, me filma të shkurtër, dokumentarë, instalacione dhe vepra të video artit që do të prezantohen gjatë tri ditëve të festivalit. Programi do të vazhdojë edhe më 20 qershor me aktivitete të tjera artistike.