Një beach bar në Potam është ndëshkuar me 200 mijë lekë gjobë, ndërsa pronari, muzikanti dhe katër klientë kanë përfunduar nën hetim, pasi muzika vijoi të luhej në lokal edhe pas orës 24:00.
Ngjarja u konstatua gjatë kontrolleve që shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë po zhvillojnë në Potam dhe Dhërmi, në kuadër të planit të masave për sezonin veror dhe monitorimit të ndotjes akustike. Sipas Policisë, në momentin e verifikimit, në beach bar muzika vijonte të luhej në orën 00:30, në kundërshtim me ligjin "Për administrimin e zhurmës në mjedis".
Për këtë shkelje, pronari i subjektit, 37 vjeçari me inicialet S. R.,u ndëshkua me masë administrative prej 200 mijë lekësh. Më pas, ai u procedua penalisht së bashku me muzikantin e lokalit dhe katër klientë, pasi, sipas Policisë, kishin prishur qetësinë publike dhe nuk iu bindën urdhrit të efektivëve për të ndërprerë aktivitetin me muzikë.
Policia bën të ditur se kontrollet dhe matjet në subjektet që zhvillojnë aktivitete me muzikë do të vijojnë edhe në ditët në vijim në të gjithë vijën bregdetare.
Komente











