“Kush do kujdeset për mua” me regji nga Xhuliano Brisku është vlerësuar si shfaqja më e mirë e Festivalit Teatror për të rinjtë “Hapat”, që mbrëmjen e së dielës ka ndarë çmimet për shfaqjet dhe artistët pjesëmarrës në këtë aktivitet.
“Mesazhi i shfaqjes ‘Kush do të kujdeset për mua’ është se kush do të kujdeset për ne. Besoj se ky festival do të kujdeset për ne edhe disa vite të tjera, kur ne, jo të jemi te kjo sallë, por do të kemi kaluar te ajo tjetra, që është më e madhe. Nuk ka rëndësi ky çmim. Rëndësia kryesore është që të jemi të gjithë bashkë pastaj, të kalojmë te dera tjetër”, thotë Xhuliano Brisku, regjisor.
“Në pozitën e drejtuesit të Fakultetit të Artit Skenik do të jemi shumë të gatshëm që përsa i përket asaj mundësie që ka Universiteti i Arteve më shumë se çdo gjë tjetër këtij festivali, këtyre projekteve që organizohen për të rinjtë, ju jap fjalën që do të jem shumë i gatshëm të kontribuoj, që në edicionin e ardhshëm të kemi punë më të arrira”, shprehet Milto Kutali, kryetar i jurisë.
Çmimi për aktorin më të mirë ka shkuar për Rafael Hoxhaj ndërsa ai për aktoren më të mirë për Erina Lazin.
“Ky fond na ndihmoi të shprehemi në një mënyrë që erdhi me një çmim I cili është dhe nuk është I rëndësishëm, pasi unë e vlerësoj çmimin deri në momentin sa ngjitemi në skenë, pastaj harron, se gjithë sa kanë qenë këtu janë shokët e mi dhe janë aktorë fantastikë”, thotë aktori Rafael Hoxhaj.
“Përpos vërejtjeve që thanë anëtarët e jurisë, doja të thosha që në shfaqjet e këtij festivali kam parë disa aktorë që reflektonin inteligjencë dhe ndjeshmëri të lartë artistike, ndaj them ka shpresë për Shqipërinë”, shprehet Adriana Tokla, anëtare e jurisë.
Mbrëmja gala e mbajtur në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental ngjiti në skenë edhe disa kërcimtarë dhe këngëtarë të rinj.
Ndërkohë çmime të tjera që u ndanë ishin edhe ai për skenografinë më të mirë për Ibrahim Burgun në shfaqjen “Hanë gjaku”, çmimi për kostumografinë që shkoi për Kristjana Cene në shfaqjen “Terezitja” dhe muzika më e mire për Rafael Marinaj.
Festivali Teatror “Hapat” me në fokus teatrin e të rinjve shënoi këtë vit edicionin e tij të tretë. Festivali është një platformë unike që promovon skenën e pavarur artistike dhe synon të fuqizojë zërin e krijuesve dhe interpretuesve të rinj nga i gjithë vendi.
Këtë vit, në skenat e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (TKEKS), Teatrit Metropol dhe sallën Black Box të Universitetit të Arteve janë prezantuar 11 produksionet më të mira të Fondit të Teatrit për të Rinj.
Gjithsej janë realizuar 11 projekte teatrore, 66 shfaqje të shtrira në 7 rrethe të vendit dhe janë angazhuar rreth 80 krijues dhe interpretues të moshës 20-35 vjeç.