Fidel Ylli: Çfarë do të bëja
unë ndryshe si ministër sporti

Fidel Ylli: Çfarë do të bëja<br />unë ndryshe si ministër sporti
Një nga miqtë më të ngushtë të Ramës jashtë politikës, dhe jo më pak brenda saj, Fidel Ylli, e ruan ende vetinë e të thënit të gjërave në sy kryetarit të partisë së tij, edhe pas 4 vjetësh në pushtet.

Teksa LSI ende nuk i ka thënë “po” gatishmërisë së PS-së për të vijuar koalicionin, Ylli përmes një interviste për Shqiptarja.com, i kërkon Edi Ramës që të jetë i kujdesshëm me aleatët, t’i respektojë dhe t’i dëgjojë ata me tolerancë, duke ju njohur kështu meritën e qëndrimit në pushtet falë deputetëve të LSI-së dhe PDIU-së.

Deputeti socialit i jep të drejtë Metës në kërkesën për ndryshime në qeveri, ndërsa thotë se sfidë ngelet pastrimi i listave të reja zgjedhore nga të inkriminuarit. Në intervistë, Fidel Ylli, një ish-mundës, ndalet tek ligji i ri i sportit i sjellë në kuvend nën kujdestarinë e tij, përmes të cilit, thotë se do të realizohet reforma sportive.

Z. Ylli, kur ju u përfshitë në fushatën elektorale të vitit 2013 keni marrë disa angazhime të rëndësishme për sportin. Pastaj, me krijimin e qeverisë u krijua përshtypja se diçka krisi mes jush dhe kryeministrit. Aktualisht, që mandati qeverisë po përfundon, cili është bilanci juaj i mbajtjes së premtimeve elektorale për sportin?

Ne kemi bërë një fushatë gati 5 vjeçare për sportin, dy vjet përpara zgjedhjeve dhe tani në 3 vjet qeverisje. Kemi llogaritur në 25 vjet qeverish të majta e të djathta politikat e ndërmarra. Kemi vënë re se paratë janë dhënë, por politikat sportive nuk kanë qenë efektive. Nuk kanë funksionuar. Kemi vënë re se ndërhyrjet e shtetit janë bërë me qëllim që ta përdorin sportin si aset politik për vota dhe për interesa të ngushta.

Me ligjin që kemi në proces, që në thelb nuk është thjesht një ligj, por një reformë në sport, ne kemi hedhur hapin e parë drejt depolitizimit të sportit. Ne nuk kemi ndryshuar disa nene të ligjit, por kemi ndryshuar frymën e tij. Kemi synuar që qeveria, sporti dhe biznesi të bëhen bashkë, që të bëjmë një ligj të mirë që të implementohet. Jemi nisur nga qëllimi i mirë për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. Nëse investojmë më shumë në sport, do të ulim shpenzimet në shëndetësi. Do të kemi një rini dhe një shoqëri më të shëndetshme dhe më të mirë.

Sporti është imazh, ndërton cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Largon të rinjtë nga veset, nga alkooli, nga duhani, nga droga. I dërgon në palestra. Ne me statistika jemi vendi me obezitetin më të madh në Evropë, vetëm 3 % e popullsisë merren me aktivitet sportiv. Unë nuk them të bëhemi si Suedia me 65 %, por kultura duhet ndryshuar. Duke futur orët e mësimit të edukimit fizik, ne kemi ndërruar frymën. Futëm me detyrim të paktën 3 orë mësim edukim fizik. Po vetëm me këtë lëvizje janë punësuar 1200 veta në arsim, si mësues edukimi fizik.

Duke u shtuar masiviteti rritet cilësia e jetës por dhe evidenton elementët cilësorë të kombëtares. Premtimet që kemi dhënë së bashku me kryeministrin janë mbajtur. PD kishte dhënë për investimet 80 mijë dollarë në 8 vjet, ndërsa ne në tre vjet kemi dhënë 31 milionë euro. Është ndërtuar stadiumi i Elbasanit, i Shkodrës, po bëhet Tirana Olimpik Park, dhe më kryesori, do të bëhet Arena moderne më e mira në Evropë tek “Qemal Stafa”.

Po bëhet gati projekti për Pallatin e Sportit, se ka ngelur akoma me hambarin e avionëve të Petrit Dumes. Janë gjëra që ne i kemi premtuar, dhe me mbështetjen Ramës si kryeministër, po mbajmë. Unë do të kisha qenë kritik për të kundërtën. Logjika jonë ka qenë që me pak para, të përfitojmë shumë produkt dhe imazh. Kemi investuar në ato zona ku kanë tradita të caktuara të një sporti dhe kemi investuar t’i forcojmë ato kapacitete.

Të gjitha premtimet në sport i kemi mbajtur. Pika e dobët është se është rritur zëri i investimeve, por nuk është rritur buxheti i shtetit për federatat. E kemi 4-5 herë më të ulët buxhetin se Kosova. Kemi shembullin e Majlinda Kelmendit që në olimpiadë mori medalje ari dhe parakaloi si kampione olimpike. Ky është imazh që e krijon sporti, si askush tjetër. Asaj i dha buxheti i shtetit 1 milionë dollarë shpërblim. Në këtë aspekt, ne duhet të marrim disa modele. 

Ju po e cilësoni këtë ligj si një reformë në fushën e sportit. Ai po zhvillohet nën kujdestarinë tuaj parlamentare. Cilat janë ndërhyrjet më të rëndësishme që mund të evidentoni?

Ne u kemi dhënë fjalën shqiptarëve që në fund të mandatit do të kalojmë një ligj të mirë për sportin. Unë jam një nga ata që e kam stopuar pak ritmin, në mënyrë që të sjellim një ligj të kompletuar dhe gjithëpërfshirës. Aktorë të ndryshëm, federata, shoqata, njerëz të sportit, shoqëria civile, të gjithë njerëzit e prekur prej tij të vijnë të japin mendimet e tyre se si e mendojnë bërjen e këtij ligji, në mënyrë që të mos e ndërrojmë 3 herë në vit për interesa të privatëve, për ndërtime e privatizime apo për tu marrë me pavarësinë e federatave.

Aktualisht në ligj kemi 37 herë fjalën ministër. Po ç’punë ka ministri? Ai duhet të jetë bashkëpunues dhe kontrollues për paratë që jep, por jo të ndërhyjë deri tek emërimi i sekretarëve. Këto rregullime ne i kemi sjellë në një paketë ligjore, të cilën e kemi bërë dhe po e bëjmë me sportistët, komitetin olimpik dhe federatat për të sheshuar të gjitha hapësirat. Ne pikë të parë dhe më kryesore kemi depolitizimin e sportit, që politika të jetë partner, bashkëpunues, të japë para dhe të dijë të kontrollojë, por jo të merret me ndikime të brendshme, emërime, etj. I kemi dhënë fuqi KAS-it, gjykatës sportive.

Konfliktet i zgjidh ajo, e të mos zvarriten palët në të gjitha shkallët e gjyqësorit në odise të panevojshme. Është saktësuar mënyra e privatizimit të klubeve që nuk ka qenë më parë, që mund të ndërrohej destinacioni dhe të bëheshin  pallate si me Partizanin. Për interesa të pronarëve privatë u ndërrua ligji në mes të natës. Deshën ta bënin dhe me Dinamon, por ne nuk i lamë dhe po ndërtojmë tashmë një kompleks sportiv modern. Tek paketa elitare kemi futur sigurimet shëndetësore për rastet e dëmtimit. Nuk kanë qenë, sportistët tanë merrnin rrugët e emigrimit.

Të futen në polici dhe ushtri pa konkurs, apo të marrin para për çdo rekord sportiv të arritur. Ky ligj është shumë i mirë për të gjithë njerëzit, prindërit që çojnë fëmijët në palestra, sportistët, etj. Nëse je me rekorde suksesi deri në vend të 8, përfiton sigurime, trajtime, pension.  Vetëm ne dhe Bjellorusia e kishim varësinë e kontrollit të anti-dopingut nga ministria e linjës. Pse? Ç’punë ka ministri?

Duhet të jetë një komision me mjekë të pavarur dhe të paguhet nga shteti. Shteti i kontrollon sigurisht, por s’mund të jenë kryetar anti-dopingu zëvendës ministri, një njeri politik. Kemi rritur dhe përqindjen e kontributit të lotarive sportive, nga 0.2 në 0.4 %, që të kemi më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.

Nëse ju do të kishin qenë ministër i Sportit, do të kishit punuar më mirë se Lindita Nikolla?
Lindita Nikolla është ministre e sportit, por nuk është ministre e linjës, por ajo ka qenë bashkëpunuese, na ka pyetur dhe ka ngritur grupe pune sipas kërkesave të sportit. E ka mbështetur sportin. Por po të kishte qenë një sportist, do të ishte bërë akoma më e mirë puna, se do të kishte pasionin e sportit. Edhe Edi Rama që ishte sportist, kur ishte ministër sporti, kishte dëshirë, por nuk la ndonjë njollë.

Sepse vendimet i merr linja editoriale e qeverisë. Ajo merr vendime politike dhe vendos prioritete. Për herë të parë një qeveri fut në axhendë fjalën “Sport”. Kjo gëzon çdo komunitet sportistësh. Ministrja na mbështet, pse rezultati i punës së saj do të plotësohet edhe me reformën në sport.  

Megjithëkëtë, dita e llogaridhënies në aspektin e 4 vjeçarit, po afron. Sporti nuk është sektori i vetëm dhe as më i rëndësishmi për situatën të cilën po kalon vendi. Ka ndonjë sektor qeverisës për të cilin ju nuk jeni dhe aq krenar?

Sado mirë të qeverisësh, qeverisja ka kostot e veta. Çdo reformë ka kostot e saj. Unë mendoj vetëm një gjë: që ky vend është i begatë për të bërë reforma, sepse këtu njerëzit janë të tulatur. Të bësh një reformë arsimi në Greqi, dalin të gjithë arsimtarët të djegin Athinën.

Unë mendoj që reformat këtu kanë nevojë për transparencë. Në momentin që do të përgatitesh për një reformë, duhet të shfrytëzosh median duke nxjerrë ekspertë që të përgatitin publikun se pse duhet bërë kjo reformë. Nuk duhet bërë një reformë e ngushtë, e shpejt, qoftë për arsimin, shëndetësinë, etj. Këtu ka një handikap, duhet bërë një punë përgatitore. Ne duhet të qeverisim sipas standardeve evropiane. Ama kjo qeveri ka bërë aq reforma sa më duhet kohë t’i rendis, jo më të ndalem tek secila prej tyre: reforma territoriale, në shëndetësi, në arsim, në pensione, në energji, tashmë edhe në drejtësi. Ne duhet t’i japin një mesazh Evropës që ne jemi të gatshëm dhe po punojmë fort për të bërë shtet, pavarësisht se reformat kanë kosto.

Nuk pranohet për një vend kandidat për në BE, në 65 % e qytetarëve të mos paguajnë energjinë. Ka gjëra që s’shkojnë? Ka, por u bë një reformë që OSHEE-ja po del me fitim, blen energji me lekët e saj e jo me buxhetin e shtetit. E do të shkosh në Evropë. Për çfarë të do Evropa ty? Për prostitutat që i ke shtuar atje? Apo për hajdutët e shtëpive? Për kanabisin? Por për çfarë? Për reformën në drejtësi. Për reformën territoriale. Për këto aftësi shtet-formuese të do. Po bëhet një reformë e mirë në drejtësi.

Kjo është “krenaria e qeverisë”. Unë po ju pyes për gjërat që janë premtuar por nuk janë mbajtur...
Ky është fakt. Rama jua la në derë. Ju tha: bëjeni si të doni, certifikojeni tek ndërkombëtarët dhe unë do ta firmos. Kur merrej Rama ata thonin: po fut duart, po kap drejtësinë. Rama u tërhoq. Kam më ndershmëri se kjo? Pavarësisht qeverisë, këtu është kontributi i opozitës për këmbënguljen për dekriminalizimin etj. Ka kontribut qeveria, por ashtu dhe opozita, dhe ndërkombëtarët po ashtu. Janë ulur 30 % çmimet e barnave.

Pyetini kompanitë farmaceutike që kishin krijuar monopol më përpara. Jam dakord me opozitën që ka nevojë për më shumë transparencë, por po bëhet një reformë. A është Tirana më e pastër dhe më e mirë se ç’ka qenë? Çdo gjë do të politizojmë ne? Lëreni more djalin të punojë, se po bëhen gjëra që këta 20 vjet ja kanë futur gjumit e nuk kanë bërë asgjë. Rruga e investimeve është rruga e vetme që na çon në Evropë. Ka hashash? Po ka, por nuk erdhi tani. Unë nuk pranoj që qeveria të jetë e inkriminuar, droga aty ka qenë, por media ka filluar të jetë tashmë më prezente.

Nuk është mbajtur vetëm premtimi i TVSH-së për Turizmin, që e ka pranuar Arben Ahmetaj dhe që do ta rregullojë. Që të mos na ikin turistët në Maqedoni apo në Mal të Zi se janë çmimet më të lira. Shtetit duhet t’i vijë në ndihmë me infrastrukturë, rrugë, rend, drita, unë dhe përkrahje me paketën fiskale për bizneset. Këto a të japin kosto? Patjetër. Por ne me aleatët tanë, bashkë me LSI-në do të fitojmë se jemi në rrugë të mbarë me të gjitha reformat. Sikundërse ndodhi në Dibër.

Meqë përmendët aleatët, Edi Rama ka shprehur me qartësi se është i gatshëm të nisë një rrugëtim të dytë me LSI-në për koalicionin e ardhshëm. Por Meta sa herë pyetet, nuk thotë “po” po thotë se LSI do të bëjë atë që është më e mirë për shqiptarët. Ju si e konsideroni këtë zvarritje të përgjigjes së LSI-së?

Të gjitha këto reforma për të cilat ne folëm më sipër, po i realizojmë së bashku me aleatët. Me votat e LSI-së ne erdhëm në pushtet, dhe larguam atë qeverisje të papërgjegjshme. Jemi bashkë dhe kjo çështje duhet vlerësuar, dhe duhet pasur më shumë tolerancë. Toleranca është virtyt i njerëzve të zgjuar. Nuk bëhen gjërat me inat për një çështje ministri apo drejtori. Unë mendoj që qeverisja të krijon probleme qoftë me aleatët, ministrat, drejtorët, interesat e ndryshme të zonave. Unë mendoj se qeverisja ka vajtur mirë, dhe ne qeverisim se kemi 20 deputetë të LSI-së dhe 5 të PDIU-së. Ne si aleatë po qeverisim bashkë me këta, dhe unë mendoj që kjo qeverisje duhet të vazhdojë, me më shumë bashkëpunim dhe me më shumë komunikim.

Duhet më shumë konsideratë, më shumë respekt, sepse në fund të fundit, ne qeverisim sepse po bëjmë të gjitha reformat me votat e tyre. Nuk na vjen e keqja nga një moment se çfarë thotë një anëtar i grupit të aleatit, apo tjetrit. Nuk është në interes të askurrkujt të futim stërkëmbsha ndaj njëri-tjetrit, se do rrëzojmë njëri-tjetrin dhe do vijë ajo qeveria që ishte 8 vjet, dhe ju e patë ç’bëri. Qeverisja ka dhe probleme, ka dhe mangësi, por të jemi transparent, tolerantë dhe të mençur. Ku jemi dhe ku do shkojmë? Të jemi bashkë për gjërat madhore të vendit. Debate me opozitën do të kemi për çdo reformë.

Ka gjëra për të bërë më mirë? Sigurisht. Por duhet folur. Të mos vemi ne atje të ngremë dorën për t’i bërë qejfin kryetarit si “Yes man”, por për të folur: këtu është mirë, këtu duhet rregulluar. Qeveria ka për detyrë të ndërrojë cilësinë e jetës së shqiptarëve. Jo të bëhen ministra aty, të kollarisen dhe të japin mend, por secili të japë kontribute në punën e vetë. Nëse s’kanë performancë, të ikin. Të hapin krahun. Ka të tjerë djem e vajza të zotë që presin radhën, që kanë mbaruar jashtë dhe që kanë vizion. Nuk bëhet kjo me mediokritet. Prandaj, Ilir Meta ka të drejtë në ato që thotë.

E keni fjalën se ka të drejtë kur kërkon ndryshime në qeveri dhe impulse të reja?
Sigurisht, duhen impulse të reja, ndryshime në qeveri, ndryshime në lista deputetësh, në përzgjedhjen e tyre. Kryetarët e kanë në dorë. Ta harrojë një njeri që ka një cen se mund t’i afrohet politikës. Të bëhet një herë e mirë pastrimi i të fortëve, gangsterëve, njerëzve me precedentë që synojnë të hyjnë në politikë. Të shohin punën e tyre e të mos hyjnë në politikë. 

(er.nu/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë