FIER - Një magazinë mallrash, e cila u zbulua ditën e djeshme nga ana e Krimit Ekonomik se tregtonte mallra të skaduara, është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm.
 
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Grecallisë në qytetin e Fierit, ndërsa janë ende të paqarta rrethanat në të cilat ajo është përfshirë nga zjarri.
 
Deri më tani nuk raportohen të lënduar, por vetëm dëme materiale. Sakaq, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca policie si dhe 4 zjarrfikëse të cilat po punojnë për neutralizimin e flakëve.  Televizioni A1 Report sjell foto nga magazina e përfshirë nga zjarri.
 
Magazina ushqimore u zbulua dhe u sekuestrua ditën e djeshme nga ana e Krimit Ekonomik, pasi hidhte në treg mallra të skaduara, ndërsa u prangosën poseduesit e saj.

Në magazinën në fjalë, mallrave të skaduara u hiqej data e skadencës, ndërsa u ristampohej një datë tjetër, me qëllim për t’i hedhur më pas në treg mallrat e skaduara. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. 

fier magazina ne flake

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)