Qindra besimtarë e pelegrinë kanë nderuar Shën Kozmain. Pelegrinazhi në Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas të Fierit nisi mbrëmjen e së dielës, ku shumë prej besimtarëve zgjodhën të kalon natën në manastir.
Besimtarët ndezën qirinj duke kërkuar bekimin e shenjtorit.
“Shenjtori i dashur, vijnë e frekuentojnë janë besimtarë të gjithëve se jemi gjithë rob të zotit”, thotë një besimtar.
Nga Manastiri i Shën Kozmait, Mitropoliti i Fierit dhe Apolonisë, Nikolla Hyka, përcolli urimet për besimtarët.
Festimeve iu bashkuan edhe mitropolitë nga e gjithë vendi. Në pelegrinazh morën pjesë edhe besimtarë të ardhur nga Greqia. Guvernatori i Epirit, Alexandros Kachrimanis, e cilësoi festën si një mundësi për të krijuar ura lidhëse mes dy popujve.
“Është një figurë me rëndësi të madhe fetare e shoqërore, ndaj vij gjithmonë për ta nderuar. Të gjitha këto vende kanë një histori që i bashkon dy popujt tanë, Greqinë dhe Shqipërinë”, tha Alexandros Kachrimanis.
Por Shën Kozmai nuk kujtohet vetëm si martir i besimit. Sipas teologut Miron Çako, ai pati një rol të rëndësishëm edhe në arsimim dhe në përhapjen e gjuhës shqipe.
“Ai ka ndikuar jashtëzakonisht jo vetëm për besimin, sepse ai e ruajti dhe e nxiti besimin stërgjyshor, por ndikoi shumë edhe në arsimimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Ai nxiti hapjen e shkollave dhe ndikoi edhe në lëvizjen kombëtare. Dha dy gjëra: dashuri për Zotin dhe dashuri për atdheun”, tha ai.
Historia dhe gojëdhënat e shumta tregojnë se shenjti Kozma u vra nga Kurt Pasha, në 24 gusht 1779 , në shenjë hakmarrjeje të miqësisë së tij me Ali Pashë Tepelenën, ndërsa trupi i tij u gjet po në të njëjtën ditë në lumin Seman nga një prift i zonës.
Çdo vit kjo datë e kthen Manastirin e Kolkondasit në një nga destinacionet më të rëndësishme të pelegrinazhit fetar në Myzeqe.









Komente
Komento