Efektivat e KomisarIatit të Policisë Fier dhe ato të qarkullimit  rrugor,  kanë  shtuar masat  për  disiplinimin e trafikut në qytet.

Patrullat e policisë kanë kontrolluar të gjitha kryqëzimet kryesore, si dhe nyjet lidhëse me zonat turistike dhe rrugët nacionale. Prezenca e shumtë e emigrantëve që janë kthyer për të kaluar pushimet verore, lëvizjet e shumta të qytetarëve  drejt bregdetit Jon dhe atij Adriatik e kanë rënduar situatën e qarkullimi.

Radhët  dhe autokollonat e gjata të cilat arrijnë deri në 3-4 km janë të pranishme çdo ditë, pasi Fieri është ura lidhëse mes gjymtyrëve gjeografike të vendit. Në fokus të kontrolleve ka qënë  verifikimi i respektimit të   sinjalistikës horizontale dhe vertikale nga drejtuesit e mjeteve, parkimet paralele , respektimi i lëvizjes në rrugët me një sens kalimi si dhe  kontrolli i dokumentacionit për mjetet taksi.

"Për t'ju përgjigjur fluksit të lartë të qarkullimit të mjeteve dhe disiplinimin e trafikut rrugor, kemi intesifikuar kontrollet në rrugët kryesore dhe pikat lidhëse me zonat turistike dhe rrugët nacionale", tha Shefi i Qarkullimit Rrugor, Janaq Zaka.

"Aksioni është pjesë e planit shtesë të hartuar nga drejtoria për të mbajtur nën kontroll trafikun gjatë sezonit të plazhit", vijoi ai.

Megjithëse aksionet e policisë janë shoqëruar me penalizime të ndryshme dhe bllokime të mjeteve pa dokumentacion të rregullt,  apo të drejtuara nga  shoferë të alkolizuar dhe pa leje qarkullimi, qëllimi i tij është disiplinimi i trafikut dhe parandalimi i aksidenteve, pohojnë dejtuesit e policisë. Kontrollet e policisë janë mirëpritur edhe nga qytetarët, të cilët vuajnë pasojat e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve.

Madje ata, nëpërmjet telefonatave dhe informacioneve falas, kanë informuar për shumë raste shkeljesh, duke u bërë pjesë e programit policor për  të parandaluar aksidentet dhe ruajtur trafikun rrugor./ATSH/