Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 38-vjeçarin Milasim Ramaj, i arrestuar në 11 tetor pasi kishte kthyer në banesë të pabanuar në lagjen ‘Kastriot’ në magazinë armësh zjarri.

Sot Ramaj ka dalë përpara gjykatës ku dhe është njohur me masën e sigurisë, vendim i marrë nga gjyqtarja Klodiana Kryeziu.

Milasim Ramaj u vu në ndjekje nga policia pas një denoncimi nga një emision investigativ se një person me të cilin ata kishin komunikuar në kuadër të punës së tyre posedonte pa leje një armë zjarri.

Strukturat hetimore dhe operacionale filluan menjëherë punën duke lokalizuar 38- vjeçarin teksa lëvizte me automjet ku gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë që e posedonte pa leje dhe një shumë parash prej 3.500 euro.

Nga kontrolli në ambient, u gjetën dhe u sekuestruan:

-10 armë zjarri automatikë, 3 nga të cilët, të modifikuar me shënjestër optike dhe me vend filetimi për silenciator;

-1 armë zjarri pistoletë;

-1 armë zjarri pistoletë automatike;

-2 silenciatorë;

-9 karikatorë automatiku;

-3 karikator pushke;

-2 krehra pistolete;

-sasi fishekësh të kalibrave të ndryshëm.

Të gjitha këto armë dhe municioni luftarak, dyshohet të jenë ruajtur nga Ramaj me qëllim shitjen e tyre tek grupet kriminale.