Fier - 28 autorë të kapur në flagrancë në parcela ose sera me kanabis, mijëra bimë të asgjësuara dhe kontrolle në territor, janë bilanci i policisë së Fierit në luftën kundër kanabisit.
Të dhënat u bënë publike në takimin e përvitshëm që thirret nga prefekti me qëllim koordinimin e organeve ligjzbatuese dhe atyre vendore. Drejtori i policisë së Qarkut Skënder Hitaj duke e cilësuar kultivimin e bimëve narkotike si element që prek sigurinë bëri të ditura rezultatet.
“Përmes operacioneve të mirëoganizuara në terren, është bërë i mundur zbulimi dhe asgjësimi i të gjihha rasteve të konstatuara (17 të tilla gjatë 2025-ës). Autorët janë kapur në flagrancë. Në total, 28 autorë, nga të cilët 21 janë arrestuar në flagrancë apo ndaluar dhe 6 janë ndjekur në gjendje të lirë. Në të gjitha rastet e evidentuara janë gjetur dhe asgjësuar 6 068 bimë narkotike dhe 3 237 fidanë (kubikë).
Në terren, në shkallë qarku, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, për periudhën janar–dhjetor 2025, janë kryer 26 752 kontrolle. Nga këto: 16 061 sera, 740 magazina, 72 ish-objekte ushtarake, 210 stane/stalla, 849 banesa të braktisura dhe 8 820 ambiente të hapura”, tha ai ndër të tjera teksa theksoi se roli i Policisë, Gjykatës dhe Prokurorisë është thelbësor.
Nga krahasimi i kontrolleve të bëra për dy vitet e fundit, rezulton se në vitin 2025 janë kryer 1 084 kontrolle më shumë. Zonat me rrisk sipas të dhënave të policisë së Fierit janë shtuar krahasuar ne vitet e kaluara. Kështu përveç brigjeve të lumenjve, e zonave te pyllëzuara, që shfrytëzohen për kultivim kanabisi, së fundmi po përdoren edhe objektet e ish-reparteve ushtarake si bunkerët apo tunelet.
Kontrollet në territor janë zgjeruar duke shfrytëzuar metoda speciale si dronët dhe kamerat termike. Në dy muajt e parë të vitit 2026 kontrollet kanë nisur në zonat me risk, si fshatrat Dermenas, zonën anës lumit Seman, Gorishovë, Varibop, zonën anës lumit Vjosë në Fier, fshatrat Rruzhdije, Grizë, Kurjan në Roskovec dhe zonat Drenovë, Mollaj, Lofkënd në Mallakastër.
Komente









