Gjatë vizitës në zonat e përfshira nga përmbytjet, Kryetari i Kuvendit vizitoi pularinë e  Shezai Sadikaj në Ferras të Komunës Levan, cila u shkatërrua për shkak të përmbytjeve duke humbur 10 mijë zogj dhe shumë makineri, por që u rivendos në funksion falë ndihmës së institucioneve shtetërore, teksa iu dorëzuan edhe 5 mijë zogj.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shprehu kënaqësinë për ripërtëritjen e shumë bizneseve në këtë zonë, ndërsa garantoi se institucionet shtetërore do të kompensojnë të gjitha dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.

“Edhe unë dua të shpreh kënaqësinë që shoh se si po ripërtërihen shumë biznese të përmbytura dhe të shkatërruara. Pak ditë më parë, falë mbështetjes së qeverisë, por edhe falë një solidariteti shumë të madh brenda dhe jashtë vendit, falë edhe shpirtit sipërmarrës të gjithë atyre që nuk mund të pranojnë që të ndërpritet aktiviteti i tyre për shkak edhe të kësaj fatkeqësie që ndodhi, situata është drejt rikthimit në normalitet. Dhe në këtë mënyrë unë jam i bindur që shumë shpejt do të dëmshpërblehen të gjithë ata për dëmet që pësuan dhe ekonomitë e kësaj zone do ta rimarrin veten shumë shpejt”, tha  Meta.

Fatkeqësitë natyrore, Meta: Të sigurohen bizneset e fermerëve  
Gjithashtu, në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit tha se sigurimi i investimeve bujqësore nga fatkeqësitë natyrore duhet të jetë pjesë e vizionit për këtë sektor.

“Njëkohësisht dua të theksoj rëndësinë e një politike të sigurimeve për investimet në bujqësi dhe për prodhimet bujqësore. Kjo është e domosdoshme, po të keni parasysh edhe thënien aq të njohur që ‘bujqësia është shtëpi pa çati’. Pra, është e domosdoshme që ta shohim me një perspektivë më afatgjatë dhe më të sigurt përballimin e këtyre rasteve, të këtyre dëmeve, të këtyre fatkeqësive, pasi këto nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, por ndodhin edhe në vende të tjera më të zhvilluara dhe unë besoj se është momenti për të ndërtuar një politikë vizionare të sigurimeve të investimeve në bujqësi dhe të prodhimeve bujqësisë”, tha  Meta.

Kryetari i Kuvendit përshëndeti punën e kryer nga institucionet shtetërore për të lehtësuar rikuperimin e dëmeve si pasojë e përmbytjeve, dhe shtoi se ndihma për rimëkëmbjen e ekonomive bujqësore ka nisur me pezullimin e kësteve të kredive për dy vjet.

“Dua të përshëndes Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Qeverinë për punën që po bëjnë në këtë drejtim për marrëveshjen që kanë arritur me bankat, me shoqatën e kursimeve për të ristrukturuar kreditë e shumë prej sipërmarrësve, të cilët u goditën nga përmbytjet apo dhe për të zgjidhur hap pas hapi shumë çështje konkrete, që do t’i japë mundësi atyre për të patur kohën e duhur për të realizuar frymëmarrjen që do t’i ripërtërijë plotësisht aktivitet e tyre”, tha Meta.
 
Panariti: Rëndësi të mos humbasë cikli i prodhimit
Në këtë vizitë, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, deputetët Petrit Vasili dhe Robert Bitri si dhe drejtues vendorë.
 
Ministri Panariti, tha se e rëndësishme është të mos humbasë cikli i prodhimit.
“Pavarësisht nga dëmet e mëdha që e gjithë kjo zonë pësoi nga përmbytjet si pasojë e daljes nga shtrati të Vjosës, ne jemi këtu së bashku me Kryetarin e Kuvendit për të dëshmuar edhe njëherë vendosmërinë tonë për të rimëkëmbur të gjithë dëmet e shkaktuara. Ne jemi këtu në këtë pulari ku zogjtë u mbytën dhe pularia doli jashtë funksioni. Tashmë pularia është rivendosur në punë, zogjtë janë brenda baterive. Janë 5 mijë zogj të cilët për një periudhë 35 ditësh do të hyjnë në cikël prodhimi. Ne kemi rivendosur kapacitetin e plotë të kësaj pularie, por ky është vetëm fillimi. Ne do të vazhdojmë natyrisht me plotësimin edhe të gjithë humbjeve dhe të dëmeve që ka pësuar kjo zonë, edhe me shpërndarjen e bagëtive të imta, dhenve, edhe me raca të përmirësuara, edhe më të mira nga ato që u dëmtuan nga përmbytja”, tha Panariti.
 
Ministri Panariti u shpreh së pavarësisht dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga përmbytjet, nuk do të ndryshojnë pritshmëritë për këtë sektor, duke garantuar se gjithçka që fermerët kanë humbur, do t’u zëvendësohet.
“Njëkohësisht jemi të vendosur për të avancuar edhe me përmirësimin e infrastrukturës së serave të dëmtuara, në mënyrë që të kapim sa më parë ciklin e prodhimit. Pavarësisht nga përmbytja, objektivat tona të zhvillimit të bujqësisë mbeten të pandryshuara. Ne duhet të impenjohemi me sforco më të mëdha në mënyrë që të kapim ciklin e prodhimit. Por, unë jam i bindur që në bashkëpunim me fermerët, me popullin punëdashës të kësaj zone dhe me investimet e mëdha të qeverisë, ne do ta rikapim shumë shpejt veten dhe objektivat tona të zhvillimit do t’i mbajmë të pandryshuar dhe do të avancojmë me prodhimin bujqësor dhe blegtoral”, tha  Edmond Panariti.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, deputetë të Kuvendit si dhe drejtues të pushtetit vendor mori pjesë dhe në dorëzimin e një tufe me bagëti fermerit Engjëll Metushi, që i kishte humbur ato gjatë përmbytjeve, si dhe ndihma të tjera për blegtorinë.
 
Shezai Sadikaj: Kompensimi na dha shpresë që ne të fillojmë punën
Pronari i pularisë, Shezai Sadikaj falënderoi Kryetarin e Kuvendit dhe Ministrin e Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për mbështetjen e dhënë në kapërcimin e kësaj situate. “Na dhanë kurajo, na dhanë shpresë që ne të fillojmë punën. Është shans që qoftë Panariti apo specialistë të tjerë që e njohin mirë këtë sektor që unë punoj, që na japin kurajo të ecim përpara”, tha  Sadikaj.


Redaksia Online
(a.h/Shqiptarja.com)