Zonat e prekura nga përmbytjet në jug të vendit, duket se më të keqen e kanë lënë pas krahëve ndërsa çdo ditë e më tepër situata është drejt normalizimit.

Krahas ndihmave të dhëna si nga qeveria ashtu edhe nga solidarizimi i qytetarëve apo organizatave ndërkombëtare si dhe zëvendësimit të dëmeve në bagëti dhe prodhim, tashmë ka nisur edhe dezinfektimi i banesave dhe zonave të përmbytura.

Ditën e sotme, në fshatin Darëzezë të Fierit, një nga zonat me problematika më të mëdha gjatë përmbytjeve, ka nisur procesi i dezinfektimit, pas tërheqjes së ujërave. Televizioni A1 Report sjell foto nga zhvillimi i procesit të dezinfektimit. 

Mësohet se procesit të dezinfektimit i janë nënshtruar banesat e prekura nga përmbytjet, të cilat në oborr por edhe brenda kishin prezencë uji. Për këtë shkak ka nisur edhe dezinfektimi i banesave pasi së bashku me shirat e rrëmbyeshëm, në banesa kishin hyrë edhe ujërat e zeza.

Procesi i dezinfektimit, pritet të shtrihet edhe në zonat e tjera në ditët në vijim, teksa vijon shpërndarja e ndihmave dhe zëvendësimi i dëmeve.  

fier dezinfektimi
fier dezinfektimi

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)