FIER- Një lokal nate me muzikë live e striptizëm që vazhdonte aktivitetin edhe pas vendimit për mbylljen e tyre, është pezulluar për një periudhë 1-vjeçare. Ky është pezullimi i parë që ndodh në vend pas aktit normativ të vendosur ditën e djeshme nga qeveria.
Pezullimi ndodhi pasi policia e Fierit gjatë kontrollit konstatoi mbrëmjen e djeshme një biznes night club me muzikë që ushtronte aktivitetin në mënyrë të paligjshme. Para se të mbyllej, lokali i natës është gjobitur me 1.000.000 lekë më parë.
Policia e Fierit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Qeveria dha vendimin ditën e djeshme për mbylljen e të gjitha bareve, loungeve dhe bizneseve me muzikë live për shkak të mosrespektimit të masave anti-covid dhe grumbullimit të shumtë të të rinjve në këto mjedise.
Ky vendim solli edhe protesta nga ana e artistëve, DJ-ve e biznesmenëve para Kryeministrisë që të pezullohej ky akt normativ.