Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën e Shoqatës së Bareve lidhur me vendimin për mbylljen e aktiviteteve të tyre. Duke e cilësuar një protestë të pakonceptueshme, Rama shkruan se ato në fakt nuk janë lejuar kurrë, asnjë ditë të zhvillojnë aktivitetin e tyre.

'E pakonceptueshme që ka njerëz që ngrenë zërin pse ministria e shëndetësisë shtrëngoi masën për klubet e natës e diskot, ndërkohë që hapja e tyre nuk është lejuar asnjë ditë pas rihapjes së madhe! Zoti i ruajtë ata e familjet e tyre prej tyre dhe ruajtë të tjerët nga këto mendje", shkruan Rama.

 Edhe pse ishin të vetmet aktivitete që nuk u hapen kurrë me lirimin e masave  nga pandemia pasi ishin shkak për infektimin masiv të popullatës, Shoqata e Bareve ka zhvilluar ditën e sotme një protestë para Kryeministrisë kundër vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e tyre në të kundërt do të gjobiteshin dhe pezulloheshin.

Shoqata e Bareve i kërkon qeverisë të tërhiqet nga vendimi për mbylljen e aktiviteteve të clube-ve të natës dhe diskove duke thënë se pasojat ekonomike dhe falimentit tyre do të jetë edhe më i rëndë se vetë COVID-19. Ata paralajmëruan se ditën e nesërme në orën 12:00 do të mbajnë një protestë tjetër para Kryeministrisë, pikërisht për këtë çështje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:14
Mbyllen club-et e lokalet e natës/ Pronarë e artistë protestë kundër vendimit para Kryeministrisë, 5 të shoqëruar në polici

Pas aktit normativ ku lokalet e club-et e natës nuk duhet ta zhvillojnë aktivitetin e tyre ndryshe do të gjobiten, pronarët po zhvillojnë një protestë para Kryeministrisë që ky vendim të hiqet. Pronarë, artistë, DJ e muzikantë janë mbledhur para Kryeministrisë kundër këtij vendimi që prek direkt buxhetin e tyre, pasi përmes muzikës ata përfitojnë të ardhurat e tyre ekonomike. Ky vendim erdhi pas mosrespektimit të asnjë mase në ambientet e mbyllura të party-ve të zhvilluar në lokalet e natës dhe rritjes së madhe të shifrave të të prekurve me COVID në vend.

Protestuesit janë mbledhur kundër rregullave anti-covid të vendosura në vend,  të cilat nuk lejojnë grumbullime dhe protesta. Policia ka krijuar një kordon para kryeministrisë për të penguar protestuesit dhe për t'i shpërndarë ata. Ndërkohë 5 prej tyre janë shoqëruar nga ana e policisë për protestën e zhvilluar.

Qeveria mori vendimin ditën e sotme se hapja e tyre do të gjobitet me 3 milionë lekë dhe një vit pezullim. Kurse muzika pas orës 20:00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdo lloji ndalohet dhe nëse vendimi nuk zbatohet subjekti gjobitet me 1 milion lekë dhe 6 muaj pezullim.

Shoqata e Bareve e e cilëson këtë vendim absurd, duke shtuar se vatër e virusit nuk janë baret dhe clube-t por spitalet Covid.

Ora 18:12
Ministria mbylli diskot, reagon Shoqata e Bareve: Vendim absurd, vatër infektimi nuk jemi ne, por spitalet ! Nesër protestë te Kryeministria

Shoqata e Bareve i kërkon qeverisë të tërhiqet nga vendimi për mbylljen e aktiviteteve të clube-ve të natës dhe diskove duke thënë se pasojat ekonomike dhe falimentit tyre do të jetë edhe më i rëndë se vetë COVID-19. Ata paralajmërojnë se ditën e nesërme në orën 12:00 do të mbajnë një protestë para Kryeministrisë, pikërisht për këtë çështje.

Shoqata e Bareve e cilëson këtë vendim absurd, ndërsa shton se vatër e virusit nuk janë baret dhe clube-t por spitalet Covid.

Duke parashtruar disa kërkesa Shoqata e Bareve thekson që të mos mbyllet aktiviteti në ambientet e jashtme dhe të shtohen masat distancuese anti-covid, por që për respektimin e tyre të jetë përgjegjësi individuale pa penalizuar biznesin që është në prag falimentimi.

"Kërkojmë 1.Të shtohen masat distancuese, pa mbyllur aktivitetet e bareve me ambiente të jashtme.
2. Nuk ka prova që baret me ambiente të hapura të jenë vatër shpërndarje për virusin.
3. Të monitorohen masat individuale te klientëve pa penalizuar biznesin qe është ne kushte falimenti
4. Të mbështetet sektori i argëtimit.
5. Ne në sipërmarrjet tona kemi zbatuar me rigorozitet të lartë të gjitha udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë përsa i përket masava kundër Covid-19. Secili të mbajë përgjegjësinë e tij.

Ndërkohë apelojmë të gjithë individët që operojnë në këtë sektor, të na bashkohen në protestën e nesërme që do të zhvillohet përpara Kryeministrisë në orën 12.00", shkruhet në deklaratën e tyre.

Ditën e sotme qeveria vendosi mbylljen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.