Policia Rrugore e Fierit ka intensifikuar kontrollet në akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qarkut, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e shkeljeve të qarkullimit.
Përmes një njoftimi, blutë bëjnë të ditur se gjatë kësaj jave, për 11 persona kanë nisur hetimet, 3 prej të cilëve janë arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur.
Gjithashtu, janë vendosur 885 gjoba për tejkalim të shpejtësisë, 25 për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 14 për parakalim të gabuar.
Policia ka ndëshkuar me gjoba edhe 10 shoferë për drejtim të automjetit nën efektin e alkoolit, si dhe ka vendosur 440 gjoba për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Në një apel drejtuar shoferëve të automjeteve, Policia Rrugore u bën thirrje të respektojnë rregullat, të shmangin shpejtësinë e lartë dhe të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit.
Njoftimi i Policisë:
Policia Rrugore Fier vijon monitorimin intensiv me pajisje inteligjente dhe kontrollet në akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qarkut, me qëllim evidentimin, parandalimin, ndëshkimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore si dhe vështirësojnë qarkullimin në qëndrat e banuara.
Gjatë kësaj jave:
* 11 shtetas janë proceduar penalisht, 3 prej tyre të arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur;
* 885 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë së lejuar;
* 25 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit;
* 14 masa për parakalim të gabuar;
* 10 masa për drejtim nën efektin e alkoolit;
* 440 masa për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
APEL I POLICISË RRUGORE FIER
Mos e përdorni automjetin si mjet për të rrezikuar jetën tuaj dhe të tjerëve!
Tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, përdorimi i celularit, manovrat e rrezikshme, parkimet në shkelje nuk janë thjesht shkelje të Kodit Rrugor, por papërgjegjshmëri që mund të sjellin pasoja fatale për ju dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Respektoni rregullat. Ulni shpejtësinë. Mos drejtoni automjetin nën efektin e alkoolit.
Në timon, përgjegjësia është detyrim, jo zgjedhje!





Komente
Komento