FIER - Një biznesmen nga qyteti i Fierit është arrestuar sot për trafikim të lëndës narkotike nga Turqia në Shqipëri, e më tej me destinacion Italinë. Biznesmeni Orvel Hebeja u vu në pranga për trafikim të 59 kilogramë heroine ndërsa bashkë me të u arrestua edhe shoferi i tij. 

Emri i biznesmenit Hebeja ka dalë pas arrestimit në Turqi të një shoferi të kompanisë së transportit “Shega-Trans”, Leonard Tusniku. Ky i fundit është arrestuar në qytetin Ipsik, afër kufirit turko-grek, pasi në automjetin e tij u konstatua një sasi prej 59 kg heroinë.

Operacioni antridrogë u zhvillua në bashkëpunim mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe prokurorisë së Turqisë. Ishin pikërisht autoritetet turke të cilat vunë në pranga në Turqi, Leonard Tusnikun, shoferin e biznesmenit. ​Operacioni i koduar "ispala" u finalizua më 15.01.2014 në kufirin Turqi-Greqi, teksa në kamionin me targa TR 9214 T është sekuestruar 59 kg heroinë.

Orvel Hebeja 33 vjec, eshte banues ne Sheq te Madh ne Fier dhe ka në pronësi një kompani të vajrave lubrifikantë.

Heroina mes vajrave
Hetimet e Krimeve të Rënda kanë zbuluar se lënda narkotike ishte fshehur brenda disa kutive të vajrave lubrifikantë të makinave, mall ky që ishte porositur nga biznesmeni i gazit Orvel Hebeja. Mësohet se ky i fundit në fillim të janarit 2014 ka porositur kompaninë “Shega-Trans”, për të kryer transportimin e një malli që ai kishte blerë në Turqi. Nisur nga kjo situatë kompania ka caktuar shoferin e saj Leonard Tusniku, për të kryer transportimin e mallit nga Turqia në drejtim të Fierit. Kamioni është ngarkuar dhe teksa ka shkuar në kufirin turko-grek, është ndalur pas zbulimit të sasinë së heroinës. Nisur nga kjo situatë në 13 janar të këtij viti autoritet turke arrestojnë shoferin shqiptar, për akuzën e “Trafikut të drogës”.

Ndihma nga Shqipëria
Gjatë marrjes në pyetje Tusniku nuk ka pranuar akuzën e ngritur duke pohuar se ai nuk kishte dijeni për prezencën e drogës në kamion. Sipas tij, ai ishte një punëtor dhe se kishte mbërritur në Turqi për të marrë mallin e porositur nga biznesmeni shqiptar Orvel Hebeja. Pas kësaj autoritet turke i kanë dërguar letërporosi prokurorisë shqiptare, duke kërkuar verifikimin e biznesmenit nga Fieri. Këto verifikime janë kryer nga prokurori Anton Martini, i cili pasi konstatoi implikimin e biznesmenit fierak ka urdhëruar arrestimin e menjëhershëm të tij. Ndalimi i tij është bërë në qytetin e Fierit, ndërkohë që hetimet për këtë grup kriminal vijojnë në bashkëpunim edhe me prokurorinë turke. Dy prokuroritë gjatë këtyre muajve kanë shkëmbyer një sërë informacionesh që më pas sollën dhe arrestimin e biznesmenit të gazit.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)