FIER- Në Spitalin Rajonal të Fierit, gjithnjë e më shumë adoleshentët paraqiten për ndihmë mjekësore si pasojë e përdorimit të hashashit. Mosha dominuese e përdoruesve është nga 15 deri 22 vjeç por nuk përjashtohen as nxënësit e 9- vjeçares, që janë nën 15-vjec.
Mjeku toksikolog Lulzim Banushi thotë se drogat bimore perceptohen gabimisht si të padëmshme por rreziku qëndron tek prirja e tyre për të kaluar tek drogera më të forta si kokaina dhe heroina.
“Konstatojmë me shqetësim se numri i përdoruesve, sidomos tek të rinjtë dhe adoleshentët, është rritur, kryesisht me drogat bimore. Rreziku kryesor, përveç efekteve të dëmshme në organizëm, në sistemin nervor dhe në zemër, qëndron tek fakti se përdorimi i drogave më të lehta krijon një dëshirë të papërmbajtur dhe apasionim për të kaluar në droga më të rënda. Kjo është konstatuar qartë nga praktika dhe nga puna e përditshme në luftën kundër këtij fenomeni”, tha Lulzim Banushi, toksikolog.
Pacientët shpesh shfaqin dëmtime të sistemit nervor, probleme kardiake dhe çrregullime të shëndetit mendor, përfshirë ankthin, depresionin dhe pagjumësinë.
Ndihma ne spitalin e Fierit jepet pas konsultes me qendren e luftës kundër abuzimit substancor në QSUT.
“Trajtimi përfshin sqarim mbi rreziqet, terapi dhe konsulta me psikologë dhe psikiatër, sepse përdoruesit shpesh shfaqin çrregullime të lidhura me varësinë, si ankth, stres, depresion dhe probleme me gjumin, të cilat janë karakteristike për abuzimin me drogat. Një pjesë e të rinjve që ndjekin këto konsultime kanë arritur rezultate pozitive dhe vazhdojnë një jetë normale”, theksoi mjeku në intervistën për Report TV.
Te rinjte dhe adoleshentet vijnë si nga zonat urbane, ashtu edhe nga ato rurale, megjithëse shumica janë nga qyteti. Po ashtu, paraqiten të rinj te kthyer nga emigrimi, qe kanë përdorur droga të forta, deri tek heroina dhe kokaina. Trajtimi i tyre është kompleks, por përpjekjet e deritanishme kanë dhënë rezultate pozitive.
Komente








