Një aksident i pazakontë është regjistruar këtë të martë në qendër të Fierit, ku drejtuesi i një automjeti tip “Porsche”, duke lëvizur me shpejtësi të lartë, ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me dy automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, pas përplasjes shoferi Arbër Imeraj ka tentuar të largohet menjëherë, madje ka hequr edhe targën e automjetit për të shmangur identifikimin. Kanë qenë qytetarët e pranishëm ata që kanë ndërhyrë për ta ndaluar, ndërsa pak çaste më vonë në vendngjarje ka mbërritur edhe një patrullë policie, e cila ka bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin e tij.

Burime bëjnë me dije shoferi i arrestuar rezulton person me precedentë penalë, i sapodalë nga burgu, i dënuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.

Pas arrestimit, ai është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, forca të shumta policie kanë kryer kontrollin e automjetit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.