FIER - Policia e Fierit ka vënë në pranga dy persona për sherrin e mbrëmjes së premtes në një lokal në Fier, ku pati edhe të shtëna me armë zjarri. 33-vjeçari Romeo Çako dhe Mariglen Sinaj, 36-vjeç, qëlluan me armë zjarri në dysheme, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Në pranga është vënë 36-vjeçari Sinaj i përfshirë në konflikt dhe pronari i lokalit, me akuzën e moskallëzimit të krimit. Ndërkohë vijojnë kërkimet për 33-vjeçarin Çako. 

"Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme ku në një lokal në lagjen "8 Shkurti", pas një konfliktit midis 2 shtetasve, njëri prej tyre gjuajti në dyshemenë e lokalit me armë zjarri, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin e përfshirë në konflikt, M. S., 36 vjeç, banues në Fier si edhe pronarin e lokalit, shtetasin A. B., 43 vjeç, banues në Fier, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit". Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit që qëlloi me armë zjarri, R. Ç., 33 vjeç, banues në Fier.", njofton policia.