FIER - Gjatë operacionit të koduar “Kulla e Ujit”, policia e Fierit ka arrestuar dy të rinj, të dyshuar si të implikuar në vrasjen e 21-vjeçarit Andi Prifti (foto) më 20 janar të këtij viti. Të arrestuar janë Andrea Rrapaj 18 vjeç dhe Erald Elmazi 25 vjeç, që të dy banues në Fier.

Sipas policisë së Fierit dyshohet se 21-vjeçari nga Fieri u vra me thikë nga 3 miqtë e tij, të cilët mendohet se ishin në dijeni për një skedinë me vlerë rreth 60 mijë lekë të reja që viktima sapo e kishte fituar nga një lloto.

Në një konferencë për shtyp, policia njoftoi se ka arrestuar dy të rinj që dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e 21-vjeçarit, ndërsa një tjetër përfundoi në pranga vetem më datë 23 janar të këtij viti.

Polica e Fierit sqaron se për dy të ndaluarit është kryer dokumentimi ligjor pasi janë të dyshuar për vjedhje me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Prifti dhe akuzohen për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim”.

Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar një telefon celular, të cilën autorët ia kanë marrë 21-vjeçarit Andi Priti. Autorët dyshohen edhe për kryerjen e disa veprave të tjera penale.

Për vrasjen e Andi Priftit, policia e Fierit ka arrestuar edhe Gentian Shahinaj, për të cili Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Policia ka kryer disa kontrolle jo vetëm në vendin ngjarjes, por edhe në aksin rrugor të “hoxhares” ku dyshohet se autorët kanë kryer krimin dhe më pas e kanë hedhur viktimën Prifti në vendin e quajtur “Kulla e Ujit”, e cila ndodhet rreth 3 kilometra pranë komunës Topojë, në rrethin e Fierit.

Sipas familjarëve 21-vjeçari Andi Prifti u vra për 60 mijë lekë të reja që i fitoi nga një skendinë. Xhaxhai i tij, Pandeli Prifti rrëfeu për A1 Report! më datë 21 janar 2013 telefonatën e fundit të 21-vjeçarit, ndërsa deklaron se familja e tyre nuk ka pasur asnjëherë hasmëri, apo konflikte me persona të tjerë.

“Dimë që djali ka qënë i rregullt, nuk ka pasur hasmëri apo mosmarrëveshje në shoqëri. Kishte dalë për kafe, i kishte dërguar familjes dhe një picë. Duam ta zbardhi policia këtë vrasje”, shprehet xhaxhai i djalit, Pandeli Prifti.

Redaksia online
(eç/kth/shqiptarja.com)