Në Fier, të dhënat nga agjencitë turistike flasin për një fluks në rritje, të qytetarëve që udhëtojnë në vendet malore të rajonit, veçanërisht për natën e ndërrimit të viteve.

“Kemi rezervime për zonat malore si Mavrova në Maqedoninë e Veriut, Kolašin në Mal të Zi dhe Brezovica e Prevalla në Kosovë. Brenda Shqipërisë, në top-listë mbetet qyteti i Korçës",- thotë Matilda Voja, agjente turizmi.

Interesi për udhëtime është më i lartë nga të rinjtë.

“Kam zgjedhur ta festoj Vitin e Ri në Kosovë, sepse është më afër dhe atmosfera është shumë e bukur. Shkojmë me familjen për disa ditë."

“Unë do ta kaloj Vitin e Ri në Itali se kam motren. Kemi organizuar gjithçka paraprakisht dhe mendoj se është një mënyrë e bukur për te festuar”, shprehen ata. 

Nuk mungojnë as destinacionet e largëta si Dubai.

“Ka kërkesa të shumta edhe për Stambollin, Vjenën dhe Pragën. Krishtlindjet zakonisht kalohen në familje, ndërsa nata e Vitit të Ri jashtë. Ka pasur interes edhe për Dubai dhe destinacione të tjera",- thotë Matilda Voja, agjente turizmi.

Megjithatë, jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Të moshuarit tregojnë se do të festojnë në shtëpi me familjarët.

“Unë do ta festoj Vitin e Ri në shtëpi, sepse më kanë ardhur fëmijët nga emigrimi. Për mua, më e rëndësishme është të jemi të gjithë bashkë.”

Udhëtimet jane trend në rritje, megjithëate një pjesë e madhe e qytetareve zgjedhin të festojnë brenda vendit.