FIFA duket të jetë e shqetësuar vërtet me çështjen e Kosovës. Madje, sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, Jerome Valcke, ka kërkuar informata nga kolegët e tij të UEFA-s se pse këta të fundit kanë qëndrim aq të ngurtë dhe aq të prerë ndaj futbollit kosovar. Zyrtari i lartë i FIFA-s po ashtu ka kërkuar nga përfaqësuesit e futbollit në kontinentin e vjetër që ta gjejnë një zgjidhje për Kosovën.

FIFA ka nisur ta qortojë Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) për qëndrimin e ashpër dhe negativ që po e shfaq ndaj Kosovës. Drejtuesit e futbollit ndërkombëtar e kanë autorizuar 2-3 herë shtëpinë e futbollit evropian që ta shqyrtojë rastin e Kosovës, por që kjo e fundit as që ka dashur të dëgjojë për një gjë të tillë.

Kërkesa e fundit e Federatës së Futbollit të Kosovës ishte që FIFA dhe UEFA ta lejojnë përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore, por kjo kërkesë është endur herë tek FIFA e herë tek UEFA, duke mbetur në fund vetëm një ide deri tani e parealizueshme.

FIFA dhe UEFA i kanë injoruar gjithnjë kërkesat e FFK-së, duke e hequr përgjegjësinë nga vetja dhe duke ia gjuajtur ‘topin’ njëra-tjetrës. Ndërsa, këto kërkesa më pas refuzoheshin ose shtyheshin për më vonë. 

(rb/shqiptarja.com)