Botërori 2026 do jetë një festë futbolli, me tifozët që kërkojnë ta ndjekin nga pranë eventin më të madh të sportit në botë. Kreu i FIFA-s, Gianni Infantino ka konfirmuar sërish se kërkesat për bileta nga tifozët shkojnë në 500 milionë. Sipas tij Kupa e Botës 2026 do jetë një festë dhe pritet që organizimi të jetë perfekt.
"Do të jetë një turne fantastik. Në vetëm katër javë kemi marrë mbi 500 milionë kërkesa për bileta. Kemi rreth 7 milionë bileta në treg, pra kërkesa është e jashtëzakonshme", tha ai për 'AS'.
"Do të jetë një sukses, do të jetë Kupa e parë e Botës me 48 skuadra, 104 ndeshje, 16 qytete dhe 3 shtete pritëse. Po presim diçka të madhe, është më shumë se një turne, më shumë se një kompeticion sportiv. Është një event social, që bota do të ndalet për ta parë", tha italiani.
Infantino foli edhe për Botërorin e klubeve, që u fitua nga Chelsea vitin e kaluar.
"Ishte një sukses, tani po flasim me të gjithë për të parë se si mund ta përmirësojmë. Po flitet për 32 skuadra, por mund të ketë më shumë. Nuk kemi vendosur ende se ku do të luhet, do të marrim kohën e nevojshme pas Botërorit", tregoi ai.
Duke kujtuar fëmijërinë, Infantino foli për Botërorin 1982 të fituar nga Italia dhe idhujt e tij të parë tek Interi, Evaristo Beccalossi dhe Alessandro Altobelli. Ai gjithashtu përmendi legjendat Maradona, Pelé, Ronaldo Nazario dhe kampionët e sotëm Lionel Messi e Cristiano Ronaldo.
Në fund ripërsëriti angazhimin e FIFA-s kundër racizmit, duke përmendur edhe 'Ligjin Vinicius' për mbrojtjen e futbollistëve nga sulmet raciste.
Komente









