Zëvendëspresidenti i FIFA-s, Jim Boyce, i ka kërkuar UEFA-s që të shqyrtojë mundësinë që të përjashtojë Serbinë nga të gjithë aktivitetet e ardhshme, pas incidenteve në ndeshjen kundër Anglisë për U-21.

Federata e Futbollit të Serbisë është akuzuar për fyerje raciste të tifozëve serbë dhe dy federatat janë akuzuar për sjellje jokorrekte të lojtarëve dhe stafit.

"Kemi ndjekur me kujdes të gjithë situatën në ndeshjen e U-21 midis Serbisë dhe Anglisë dhe po shqyrtojmë të gjitha mundësitë për t'i dhënë përgjigjen e duhur një akti të tillë. Kjo nuk është hera e parë që Serbia ka pasur probleme të mëdha dhe si dikush që dënon çdo formë të racizmit, mendoj se kësaj radhe UEFA duhet të veprojë dhe të veprojë fort.

Ata që shkaktojnë këto probleme nuk brengosen për para, që duhet të paguhen nga klubet apo federatat. Duhet të merren masa shumë serioze, veçanërisht kundër Federatës së Futbollit të Serbisë" përfundon Boyce.

Incidentin në Krushec e ka dënuar edhe Qeveria e Britanisë, që ka kërkuar përjashtimin e Serbisë. Ndërkohë nga ana e Serbisë është mohuar se ka pasur fyerje raciste.

(d.b/shqiptarja.com)