Dy klubet më të vjetra të futbollit në Shqipëri, Vllaznia dhe Tirana janë bllokuar nga FIFA në merkaton hyrëse duke mos bërë dot regjistrimet e futbollistëve të rinj. Skuadrat shqiptare janë hasur edhe më herët me ndalime të tilla që vijnë si pasojë e mospagesave kundër ish-futbollistëve apo ish-zyrtarëve që kanë pasur të punësuar.

Vllaznia dënohet me kohë të pacaktuar

Në vendimet e FIFA-s, bie në sy se Vllaznia është njoftuar për këtë dënim më 27 shkurt dhe nuk ka një bllokim merkatoje me afat, por me kohë të pacaktuar. Çka do të thotë se nëse nuk shlyen borxhet kundër ish-ëve, klubi shkodran nuk do mund të afrojë emra të rinj në ekip. Diçka e tillë nuk është e re për shkodranët të cilët edhe më herët janë ndeshur me fenomene të ngjashme, duke zhbllokuar merkaton sapo pagesa kalon në llogaritë e të dëmtuarve.

Tirana bllokohet me tre sesione merkatoje

Si të mos mjaftonte sezoni shumë i dobët, KF Tirana ka mësuar më 3 mars se FIFA i ka bllokuar merkaton për tre dritaret e ardhshme të transferimeve. Borxhet ndaj ish-ëve janë bërë shkak që klubi më i titulluar në vend të jetë sërish në listën e zezë të organeve të futbollit ndërkombëtar.

Zhbllokimi

Sapo klubet të derdhin në llogaritë e ish-futbollistëve apo ish-zyrtarëve shumat që Komisionet e ndryshme ua kanë njohur, atëherë klubet e dënuara janë të lira të veprojnë në merakto.

Veç Vllaznisë apo Tiranës, në listën e dënimeve shihen edhe klube si KS Luftëtari (tanimë i shkrirë), Oriku, Kastrioti dhe Valbona.

Faximile nga vendimet e FIFA-s