Ish-futbollisti i kombëtares së Portugalisë, Luis Figo mendon se skuadra kampione në fuqi e Evropës dhe botës, Spanja është favoritja kryesore për të triumfuar edhe në Euro 2012. Spanja mund të bëhet kombëtarja e parë në histori të futbollit që e fiton titullin e kampionit të Evropës dy herë radhazi dhe si kampione në fuqi e botës.

“Pa dyshim Spanja është favorite për ta mbrojtur titullin e kampionit në Ukrainë dhe Poloni. Kur e them këtë bazohem në atë çfarë ka bërë kjo skuadër në pesë vitet e kaluara. Për mendimin tim Spanja gjithmonë është njëra nga favoritet, së paku në letër. Megjithatë, në futboll kurrë nuk dihet se çfarë mund të ndodhë në fushën e lojës”, ka theksuar Figo për “Radio Marca”.

Portugezi Figo ka shprehur zhgënjimin e tij për mosekzistimin e ekuilibrit në kampionatin spanjoll, kur prej disa vjetësh mbizotërojnë dy ish-klubet e tij, Real dhe Barcelona.

“Kam nostalgji për kohërat kur më shumë skuadra luftonin për titullin e kampionit në Primera Division. Tani në garë për titull kemi vetëm Realin dhe Barcelonën. Kjo është e dëmshme për një kampionat, siç është ai spanjoll”, ka shtuar Figo.(rb/shqiptarja.com)