/ATSH/-Pas pjesëmarrjes në New York, Portugali, Marok dhe në disa vende të Amerikës Latine, filmi "Heshtje" i regjisorit Bekim Guri, do të jetë e pranishme edhe në festivalin e filmit në Mumbai të Indisë.

"Çfarë koincidence e bukur, pas përfundimit të suksesshëm të xhirimeve të filmit "Një pikë gjaku", posa morra lajmin se filmi "Heshtje" depërton në Mumbai të Indisë në festivalin e radhës! Urime gjithë ekipit", ka shkruar regjisori Bekim Guri, në rrjetin e tij social facebook.

Filmi "Heshtje" i regjisorit Bekim Gurit, vitin që sapo kaloi është shpallur fitues në kategorinë e filmit kombëtar në edicionin e 13-të të Dokufest-it. Filmi i cili trajton tematikën e luftës në Kosovë ka ngadhënjyer në konkurrencën kombëtare ku kanë garuar 14 filma.

Filmi është vlerësuar për faktin se ka arritur të përshkruaj ngjarjen brenda një kohe të shkurtë dhe pa dialog.

Filmi "Heshtje" trajton luftën e vitit 1999 në Kosovë me theks të veçantë deportimet e civilëve gjatë luftës kur një baba gjendet në një situatë të jashtëzakonshme në raport me vajzën e tij, për jetë a vdekje! Babai detyrohet ta mbysë vajzën me duart e tij duke ia ndalë frymën, vetëm që kjo të mos bjerë në duart e ushtrisë serbe.